Menjëherë pasi Elon Musk-u mori kontrollin e Twitter-it, disa personalitete konservatore nuk humbën kohë për të hyrë në platformë dhe për të riqarkulluar teoritë konspirative në një përpjekje për të “testuar” nëse politikat e Twitter-it për dezinformim ishin ende duke u zbatuar.

Ndërsa asnjë ndryshim i menjëhershëm i politikave nuk ishte njoftuar deri të premten pasdite, kjo nuk i ndaloi përdoruesit të brohorasin, ose të kritikonin atë që ata presin të jetë një përqafim i shpejtë i premtimeve të Musk-ut për të shkurtuar moderimin në emër të promovimit të fjalës së lirë.

Në një postim në Twitter të premten pasdite, zoti Musk tha se Twitter-i do të formojë një “këshill për moderimin e përmbajtjes me këndvështrime gjerësisht të ndryshme” dhe “asnjë vendim i rëndësishëm i përmbajtjes ose riaktvizimit të llogarive nuk do të ndodhë përpara se të mblidhet ai këshill”.

Por gjatë pjesës më të madhe të ditës, ata që përqafuan thirrjen e Musk-ut për ta bërë Twitter një strehë të “fjalës së lirë” ishin të etur për të parë cakun se deri ku mund të shkonin.

Ekspertët e njohur të krahut të djathtë postuan në Twitter fjalë të tilla si “ivermectin” dhe “Trump fitoi” për të parë nëse do të penalizoheshin për përmbajtjen. Ivermectin, një ilaç i lirë që vret parazitët tek njerëzit dhe kafshët, është promovuar nga disa ligjvënës republikanë dhe drejtues konservatorë të emisioneve si një mënyrë efektive për të trajtuar COVID-19. Por ekspertët e shëndetit kanë paralajmëruar se ka prova të pakta për të mbështetur besimin se ilaçi funksionon.

Në një letër që synon të qetësojë frikën e reklamuesve, zoti Musk u zotua të enjten se Twitter-i nuk do të jetë “një peizazh ferri i lirë për të gjithë, ku mund të thuhet çdo gjë pa pasoja”.

Por është ende e paqartë se çfarë do të ndodh me platformën e mediave sociale – dhe çfarë do të tolerohet. Vëzhguesit po vëzhgojnë të shohin se kush do të qëndrojë, kush do të largohet dhe kush mund të kthehet potencialisht nga lista e njerëzve që platforma i ka ndaluar ndër vite. Ato variojnë nga Donald Trumpi, te teoricieni i konspiracionit Alex Jones dhe ish-udhëheqësi i Ku Klux Klan, David Duke – asnjëri prej të cilëve nuk është kthyer në platformë deri më tani.

Agjencia Associated Press kontrolloi të paktën 12 llogari të tjera në Twitter që ishin pezulluar nga platforma, duke përfshirë ato të përdorura nga aktivisti i krahut të djathtë James O’Keefe dhe shefi ekzekutiv i MyPillow, Mike Lindell – dhe secila shfaqi mesazhin “llogari e pezulluar” deri të premten pasdite.

“Jam shumë i lumtur që Twitter tani është në duar të shëndosha dhe nuk do të drejtohet më nga të çmendurit e majtë radikalë dhe maniakët që e urrejnë vërtet vendin tonë”, tha zoti Trump të premten në mëngjes në një postim në platformën e tij të mediave sociale Truth Social, duke mos lënë asnjë tregues nëse do të kthehej në platformë apo jo edhe pse Musk-u ka thënë se do ta lejonte.

“E DUA TË VËRTETËN!”, tha ai, duke shtuar se Twitter-i do të jetë “më mirë” nëse arrin të heqë qafe robotët dhe llogaritë e rreme “që e kanë lënduar aq keq”.

Më herët gjatë ditës, mediat raportuan se Kanye West, reperi i njohur ligjërisht si Ye, dukej se ishte kthyer në Twitter pasi llogaria e tij u mbyll në fillim të këtij muaji pas postimeve të tij antisemitike në platformën e mediave sociale.

Por nuk kishte asnjë provë që të sugjeronte se statusi i llogarisë së tij kishte ndryshuar ose se zoti Musk luajti një rol dhe nuk kishte asnjë shenjë të aktivitetit të fundit. Twitter-i nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment nëse Ye ishte kthyer në platformë. Reperi dhe stilisti ishte pezulluar edhe nga Instagrami, ku llogaria e tij atje ishte rikthyer së fundmi.

Ndërkohë, dhjetëra profile ekstremiste – disa të krijuara rishtazi – postuan sharje racore dhe imazhe naziste, ndërsa shprehnin mirënjohje ndaj Musk-ut për udhëheqjen e tij të re. Një tjetër llogari anonime shkroi në Twitter: “Elon tani kontrollon Twitter-in, lëshon sharjet racore”, së bashku me disa komente përçmuese.

“Blerja e tij e Twitter-it ka hapur kutinë e Pandorës”, tha grupi Ultraviolet në një deklaratë të përgatitur të premten, duke i kërkuar gjithashtu Musk-ut, drejtuesit të Twitter-it dhe bordit të drejtorëve të kompanisë që të vazhdojnë të zbatojnë ndalimin e Trumpit nga platforma, si dheekstremistët e krahut të djathtë dhe supremacistët e bardhë.”

Disa përdorues reaguan ndaj lajmit duke kërcënuar se do të largoheshin, dhe të tjerë u vunë në lojë për këtë. Termat “Elon” dhe “fshirje” u shfaqën si fjalët kryesore që qarkullonin në Twitter të premten ndërsa përdoruesit diskutuan pasojat. Spekulimet përshkuan gjithashtu platformën. Disa shqetësoheshin se numri i ndjekësve të tyre në Twitter po binte, duke teorizuar se Twitter-i mund të ishte duke pastruar llogaritë robotë. Përdorues të tjerë postuan raporte të paverifikuara se numri i “pëlqimeve” të tyre po pakësohej.

“Elon Musk bleu një platformë, ai nuk bleu njerëz”, tha Jennifer Grygiel, një eksperte e mediave sociale dhe profesore në Universitetin e Syracuse-s”.

Top Channel