Qeveria e re serbe do të ketë 25 ministri, katër më shumë se më parë, që vetëvetiu është arsye e mjaftueshme për kritika të shumta në opinion.
Opozita mendon se qeveria e ardhshme do të jetë tepër e madhe dhe shumë e ngadaltë për t’iu përgjigjur sfidave. Ndërsa qeveria si arsye për rritjen e numrit të ministrive përmend situatën e ndërlikuar politike dhe ekonomike.
Siç deklarojnë autoritetet, në qeveri do të jenë 13 emra të ri. Ndërsa mungesën e disa ministrave të mëparshëm e interpretojnë jo si ndëshkim, por si nevojë për të ndryshuar herë pas here ekipin dhe për t’u dhënë mundësi njerëzve të tjerë që të tregojnë aftësitë. Kryeministre do të jetë sërish Ana Brnabiq. Aktualisht ende nuk dihet emri i ministrit apo ministres së Informacionit dhe Telekomunikacionit, si dhe kreut të Ministrisë së Investimeve Publike.
Bratislav Gashiq shfaqet si një staf i pazëvendësueshëm, i cili pas ulje-ngritjeve të shumta, tani do të jetë ministër i Policisë. Ngritja e shpejtë e Millosh Vuçeviqit brenda SNS-së po vazhdon – ai do të jetë ministër i Mbrojtjes dhe zëvendëskryeministër. Ndërsa Goran Vesiç do të jetë ministër i Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës.
Kandidimi i Tomislav Zhigmanov, kreut të Unionit Demokratik të Kroatëve në Vojvodinë (DSHV), i cili do të jetë ministër për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, interpretohet si një lëvizje interesante. Aleksandar Vuçiç e prezantoi ate si “surprizë” dhe kjo është vlerësuar pozitivisht në reagimet e para nga Kroacia.
Një lëvizje e papritur është kalimi i ministrit të Punëve të Jashtme, Nikolla Selakoviç, në pozitën e ministrit të Punës, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale, që në Beograd vlerësohet si një ulje në pozitë në krahasim me pozitën e mëparshme.
Qeveria e SNS
Në emrimet e ministrave nuk ka ndonjë befasi të madhe, por ka disa lëvizje interesante. Në qeverinë e re nuk do të jenë Zorana Mihajloviç, Nebojsha Stefanoviç, Aleksandar Vulin, Zoran Lonçar dhe Vanja Udoviçiç.
“Askush nuk e priste që kjo do të ishte një qeveri reformiste apo properëndimore”, thekson për DW Filip Shvarm, kryeredaktor i së përjavshmes Vreme dhe shton se “nga jashtë kjo do të jetë një qeveri e ikjes nga vendimet, ndërsa në brendësi do të jetë një vazhdimësi e aferave korruptive dhe paraqitjeve sa për sy e faqe të ministrave.”
“Si çdo herë edhe formimi i kësaj qeverie u shoqërua me spekulimet se në qeverinë e re do të ketë ministra që nuk janë në parti, apo dhe ministra nga opozita. Por nuk do të ketë. Kjo është qeveri e partisë SNS në pushtet, të cilën si deri tani do ta udhëheqë Aleksandar Vuçiç”, thotë bashkëbiseduesi ynë.
Qeveri neutrale?
Partia Socialiste e Serbisë (SPS) shihet si një fituese e madhe në shpërndarjen e posteve, pasi do të ketë pesë poste ministrore. Kreu i SPS-së, Ivica Daçiç është rikthyer në postin e ministrit të Jashtëm, e do të jetë edhe koordinator i shërbimeve të sigurisë. Është e qartë se sfidat e politikës së jashtme do të jenë vendimtare në periudhën e ardhshme dhe Vuçiç në një farë mënyre u detyrua të kthejë Daçiqin në atë pozitë. Ai nuk shquhet me njohjen e gjuhëve të huaja, por në Beograd mendohet se është një politikan i aftë dhe me përvojë që duhet të zbutë zemrat e politikanëve evropianë, me paraqitjet e tija të pazakonshme.
Por kjo ka krijuar konfuzion mes analistëve në Serbi, të cilët nuk po mund të përcaktojnë nëse qeveria do të jetë pro-perëndimore apo pro-ruse.
Disa pretendojnë se nuk ka emra në qeveri që janë dukshëm pro-perëndimorë apo pro-rusë, por ka edhe nga ata që vërejnë se kandidatët për ministra të SPS-së, si dhe disa ministra të SNS-së, mund të konsiderohen pro-rusë. Tanja Mishçeviç, ministrja për Integrimin Evropian dhe Dubravka Gjedoviç Negre, ministrja e re e Minierave dhe Energjisë, konsiderohet si kaudro pro-perëndimore.
Humbësit
Befasia më e madhe e kabinetit të ri është latrgimi i Zorana Mihajloviçit, e cila nga publiku serb konsiderohet si staf nën mbrojtjen amerikane dhe që sipas legjendave në Beograd është e pamundur të anashkalohet në kombinime të rëndësishme të personelit. Javët e fundit, ajo ka kërkuar disa herë sanksione kundër Rusisë, kritikonte Rusinë për një luftë pushtuese dhe kërkonte që autoritetet serbe të distancoheshin prej saj.
Filip Shvarm vëren “se për një kohë të gjatë ajo ka acaruar krahun e fortë nacionalist të Partisë Përparimtare Serbe (SNS)”. Nëse ajo do të mbetej në qeveri, pas fushatës së fundit kundër saj brenda SNS dhe pas deklaratave të saj të fundit, kjo do të thoshte se Vuçiq u dorëzua para presioneve amerikane, e ai ende dëshiron të ruajë imazhin se gjithçka vendos vetë, mendon Shvarm.
Ndërsa kur bëhet fjalë për surpriza të tjera, si Aleksandar Vulin apo Nebojsha Stefanoviç, Shvarm vë në dukje se për Vulinin flitet se do të jetë drejtor i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA). A e dinte se nuk do të ishte më në qeveri ndaj në fund jepte deklarata shoviniste me synim që të largohet me fishekzjarre, pra duke festuar. Sa i përket Stefanoviçit, është habi si ka mundur të mbetet kaq gjatë në qeveri, pas dështimeve të shumta nga e kaluara.
Sfidat
Sanksionet ndaj Rusisë dhe zgjidhja e problemit të Kosovës do të jenë temat kryesore me të cilat do të merren autoritetet serbe në periudhën e ardhshme. Nëse shikojmë përbërjen e qeverisë së ardhshme, a mund të konkludohet mbi atë bazë se cili do të jetë kursi i politikës së jashtme të Serbisë pas formimit të qeverisë së re?
Filip Shvarm beson se “përbërja e qeverisë nuk pasqyron pikëpamjet e Vuçiqit dhe se qeveria e re do të jetë e fokusuar në skenën e brendshme dhe synon të knaqë grupet e interesit”. Qeveria do të miratojë çdo vendim politik të Vuçiçit, ndërsa politika e tij e jashtme do të jetë politikë e ikjes nga vendimet e mëdha. Këtë dëshmon edhe emrimi i Daçiqit si ministër i Jashtëm, sepse dihet se ai është i afërt me Rusinë. E si figurë pro-ruse mund të shihet edhe Nikola Selakoviç, ish-ministri i Jashtëm, e tani ministër i Brendshëm”.
“Mendoj se në bazë të këtyre zhvillimeve mund të konkludohet se kjo politikë është e hapur nga të katër anët e botës. Kjo do të blejë kohë sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë dhe për çështjen e Kosovës, sepse presioni i komunitetit ndërkombëtar nuk do të drejtohet te kjo qeveri por te Aleksandar Vuçiq”, përfundon kryeredaktori i së përjavshmes Vreme./dw
Top Channel