Rusia ka sulmuar intensivisht stacionet e furnizimit me energji të Ukrainës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se Rusia ka nisur sulme të reja ajrore “në shkallë të gjerë” ndaj ndërtesave të energjisë së Ukrainës, duke shkaktuar ndërprerje të rrymës në mbarë vendin.
Autoritetet ukrainase kanë bërë një bilanc, ku rezultuan pothuajse 1.5 milion persona në mbarë vendin pa energji elektrike.
Por, Zelensky deklaroi se shumica e raketave dhe dronëve të Rusisë po rrëzohen, duke ripërsëritur një deklaratë të ushtrisë ukrainase që thoshte se 18 nga 33 raketat e lëshuara nga ajri dhe deti janë rrëzuar më 22 tetor.
“Sigurisht, ne ende nuk kemi aftësi teknike për të parandaluar 100 për qind të gjitha sulmet ruse me raketa dhe dronë. Jam i sigurt që gradualisht ne do të arrijmë ta bëjmë këtë me ndihmën e partnerëve tanë”, tha presidenti i Ukrainës.
Gjatë dy javëve të fundit, Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj stacioneve të energjisë së Ukrainës, sistemeve të furnizimeve me ujë dhe infrastrukturë tjetër kyçe.
Hmelnitskit, shtëpi e 275.000 banorëve para se të niste lufta, ka mbetur pa energji elektrike, pasi mediat lokale raportuan për disa shpërthime.
Uman po ashtu ka mbetur pa energji, ndërkaq Lutsku ka mbetur pjesërisht pasi disa sulme goditën stacione të energjisë.
Sulmet ajrore po ashtu kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë në Odesa në jug, në Dnipropetrovsk dhe Zaporizhja në juglindje të Ukrainës.
Kompania kombëtare e rrymës, Ukrenergo, u ka bërë thirrje ukrainase që ta kursejnë energjinë deri në stabilizimin e situatës.
Zyrtarët ukrainas theksuan se të paktën 40 % e sistemit elektrik të vendit është dëmtuar rëndë, që kur Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike.
Top Channel