Britania thotë se Kina po ‘josh’ ish-pilotët e saj ushtarakë për të trajnuar forcat ajrore (fotot)

18/10/2022 17:21

Ish pilotët e forcave ajrore britanike po joshen nga Kina me rroga të majme për të kaluar te ushtria e saj eksperiencën dhe aftësitë e tyre, ankohet së fundmi Londra.

Rreth 30 ish-pilotë ushtarakë britanikë besohet se kanë kaluar në Kinë për të stërvitur forcat ajrore të Ushtrisë Çlirimtare të Popullit.

Prandaj Britania ka lëshuar një paralajmërim inteligjence ndaj ish-pilotëve të saj në pension për të mos punuar me ushtrinë kineze.

Paralajmërime të tilla kanë ardhur edhe nga vende të tjera perëndimore së fundmi, por zyrtarët nuk mund të bëjnë shumë pasi rekrutimi i tyre nuk është kundër ligjit.

“Atyre u ofrohen paketa shumë joshëse financiare,” tha një zyrtar perëndimor për çështjen duke shtuar se “paraja është një motivues i madh” teksa rrogat e tyre mund të arrijnë deri në $250,000 në vit.

Pilotët e vjetër britanikë duket se përdoren për të kuptuar mënyrën e funksionimit të avionëve dhe pilotëve perëndimorë, një informacion që mund të bëhet vital në raste konflikti.

“Ata janë një grup tërheqës njerëzish që po ndihmojnë në zhvillimin e taktikave dhe aftësive të forcave ajrore të Kinës”, tha zyrtari britanik.

Edhe një zëdhënës i qeverisë së Londrës tha se merreshin hapa për të ndaluar këtë gjueti të Pekinit me qëllim “mbrojtjen e sigurisë kombëtare”.

Ai theksonte për këtë disa klauzola konfidencialiteti në kontratat e ish-personelit ushtarak.

Pilotët britanikë kanë eksperiencë në avionët dhe helikopterët e shpejtë teksa forcat britanike kanë përdorur modele avionësh gjuajtës si Typhoon, Jaguar, Harrier e Tornados.

Pilotët e gjuajtësve të rinj F-35 nuk besohet se janë përfshirë me Kinën teksa shumica e të larguarve janë mbi 50 vjeç dhe kanë lënë prej kohësh ushtrinë.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA