Studentët në universitete të ndryshme në Teheran dhe qytete të tjera rifilluan protestat e grevën e tyre këtë të dielë.

Ata bënë thirrje për ndryshimin e regjimit dhe vendosjen e demokracisë, gjatë gjithë protestave.

Në Teheran, studentët e Universitetit Al-Zahra brohoritën:

“Jo hixhabit [të detyruar] dhe shtypjes! Po lirisë dhe barazisë!”.

Studentët e universiteteve “Amir Kabir”, “Alameh Tabataba’i”, Inxhinierisë Elektrike të Universitetit Khajeh-Nassir, Universiteti i Shkencave Humane në Arak kanë vijuar protestën e tyre me brohorima dhe pankarta në duar.

Studentët e universitetit “Alameh Tabataba’i” marshuan duke thirrur:

“Varfëri-Korrupsion-Padrejtësi-Vdekje kësaj diktature!”.

Në Arak, studentët në Universitetin Islamik Azad – Dega Arak brohoritën:

“Studentët e kolegjit më mirë të vdesin sesa të jetojnë në turp!”.

Në Qazvin, në veriperëndim të Iranit, studentët e Universitetit Islamik Azad, dega e Qazvinit protestuan, gjatë protestave brohoritën:

“Liri! Liri! Liri!”.

Vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini ka shkaktuar revolta të shumta tek iranianët, të cilët kanë dënuar situatën.

Mahsa Amini ra në koma pasi u arrestua nga policia e moralit më 13 shtator në Teheran, për dyshimin se kishte shkelur ligjin e vendosjes së shamisë. 22-vjeçarja vdiq në spital tre ditë më vonë.

Familja e saj ka pretenduar se oficerët e kanë goditur në kokë me shkop, në momentin e arrestimit. Por policia ka mohuar akuzat se ajo është keqtrajtuar, duke i qëndruar deklaratës se e reja humbi jetën nga sulmi në zemër.

Protestat e para u zhvilluan në Iranin veriperëndimor të populluar nga kurdët, ku 22-vjeçarja jetonte, dhe më pas u përhapën me shpejtësi në të gjithë vendin.

Top Channel