Marcelino drejtoi Valencian në periudhën korrik 2017-shtator 2019, duke ia dalë të fitojë Kupën e Mbretit në vitin 2019, që është edhe trofeu i fundit i rëndësishëm që ka fituar skuadra e njohur iberike.

Në prononcimin e fundit, 57-vjeçari ka sulmuar ashpër pronarët e klubit. Marcelino i rikthehet shkarkimit të bujshëm pas triumfit në Kupë, sukses për të cilin drejtuesit, ndryshe nga trajneri, lojtarët dhe sidomos tifozët, nuk ishin fare të interesuar.

“Gjërat po shkonin mirë, por presidenca shkatërroi çdo gjë. Nuk kishte fare kuptim të shkatërrohej ai projekt. Lojtarët duan të fitojnë, ata ishin të kënaqur me rrugëtimin që po bënim. Me ata djem ndihesha i sigurt për t’u përballur me çdo kundërshtar.

Ndjej mirënjohje të madhe kundrejt atyre lojtarëve, të cilët më dhuruan Kupën e Mbretit. Një klub si Valencia duhet të përpiqet të fitojë të gjitha kompeticionet në të cilat merr pjesë. Ne vepruam ashtu siç e kërkonin tifozët dhe historia.

Në vend të kësaj, drejtuesit na kërkonin që të mos tentonim fitimin e Kupës së Mbretit, ata donin të mos lejonim lojtarët më të mirë të luanin”, theksoi trajneri spanjoll, deklaratë që ka shkaktuar debate të shumta në Spanjë.

Në finalen e 25 majit të vitit 2019, Valencia mposhti 2-1 Barcelonën në duelin e luajtur në Sevilla. Kevin Gameiro dhe Rodrigo realizuan golat e fitores për Valencian në pjesën e parë, ndërkohë që katalanasit shkurtuan rezultatin me anë të Leo Messit në fraksionin e dytë të takimit.

Top Channel