Ze Maria gjen punë, firmos me klubin e njohur në Itali

06/10/2022 08:40

Ish-trajneri i Tiranës, braziliani Ze Maria është rikthyer në Itali, pikërisht te skuadra e Parmës, që e solli në Europë verën e 1996-ës, duke e marrë pikërisht nga Flamengo.

Braziliani 49-vjeçar është zyrtarizuar si pjesë e stafit të ekipeve të moshave në ekipin emilian, që militon në Serinë B, pozicion ky që Ze Maria e sheh si trampolinë për një detyrë akoma më të rëndësishme në të ardhmen.

“Jose Marcelo Ferreira, i njohur si Ze Maria, është rikthyer në klubin e Parmës, si bashkëpunëtor në sektorin e të rinjve, konkretisht ndihmës-trajner i ekipit të të rinjve. Ze Maria rikthehet kështu te Parma, ku ka luajtur në periudhën 1996-1998 dhe numëron 56 ndeshje me fanellën e klubit”, thuhet në njoftimin e Parmës.

Braziliani ka drejtuar skuadrën e Tiranës për më shumë se një sezon në periudhën 2017-2018, duke marrë bardheblutë në Kategorinë e Parë dhe duke i sjellë sërish në Superiore./ Super Sport

Top Channel