Lajm i hidhur për futbollin, Messi e konfirmon që “Katar 2022” do të jetë Botërori i tij i fundit

06/10/2022 18:33

Botërori i Katarit do të jetë i fundit për Lionel Messin. Edhe pse diçka e tillë mund të mendohej pasi mosha e penalizon sulmuesin e PSG, tashmë vetë lojtari ka shuar çdo dyshim duke e shprehur se e ka marrë vendimin dhe nuk ka kthim pas.

“Me siguri që Botërori i Katarit do të jetë i fundit në karrierën time, tashmë e kam marrë vendimin”, theksoi Messi, që në muajin qershor të vitit të ardhshëm do të mbushë 36-vjeç.

“Pleshti”, do të provojë sërish në Katar të fitojë Kupën e Botës, një nga trofetë që ende i mungon kabinetit të tij.

Kujtojmë se në Kupën e Botës në vitin 2014, të zhvilluar në Brazil, Argjentina e Messit mbërriti deri në finale por u mposht nga Gjermani falë një goli të Gotze në kohën shtesë.

Sakaq, sa i përket zërave për një rikthim të mundshëm te Barcelona, Messi ende nuk e ka marrë një vendim dhe këtë pritet ta bëjë vetëm në fundin e sezonit aktual pasi mbetet i përqëndruar të fitojë Champions League me PSG.

Top Channel