“Sot është një ditë zie për komunitetin e futbollit shqiptar, kemi humbur një figurë emblematike të futbollit, por kemi humbur edhe të fundit nga brezi i tij, Sulejman Maliqatin, me kontribute të mëdha në futbollin shqiptar, ish-portieri i talentuar që ka mbrojtur portën e ekipit Kombëtar, Besës, Partizanit. Ka kontribuar gjithë jetën e tij në fushat e futbollit, deri në ditët e fundit madje, kur ka ndjekur ekipin e Teutës. Sula si figurë e ka shkruar historinë me atë që ka dhënë në fushën e lojës, me sjelljen e tij, sepse përveçse një futbollist i talentuar ka qenë edhe një mik i shkëlqyer. Sidomos për ne që e kemi pasur me afër”, tha Presidenti i FSHF-së, duke vlerësuar edhe rolin e Maliqatit si një qytetar model.

“Ka pasur një jetë të mbushur me futboll, por në një farë mënyre edhe me fatkeqësi dhe një nga dhimbjet e tij mbase që e rëndoi akoma më shumë në vitet e fundit ishte humbja e djalit të tij, portieri i talentuar Agim Maliqati, i cili ndërroi jetë në një moshë të re. Jeta kështu është. Maliqati është ndarë fizikisht nga ne, por do të jetojë në memorien e të gjithëve si ‘Macja e Zezë’ siç është etiketuar për pritjet e tij në shumë ndeshje që ka shpëtuar ekipin kombëtar. Do të kujtohet si një prind i mirë, si një familjar i mirë, si një qytetar i mirë dhe si një shok i mirë. Në këtë ditë, i shpreh ngushëllimet e mia të gjithë komunitetit të futbollit, familjarëve të tij dhe qytetarëve durrsakë, të cilët e kanë njohur dhe e kanë pasur mik të afërt”, deklaroi Presidenti i FSHF-së, Armand Duka në prononcimin e tij.