Europa League/ Man. United udhëton në Qipro, Roma pret andaluzianët e Betisit

06/10/2022 08:48

Magjia e Europa League do të rikthehet sërish në ekranin e SuperSport ku në raundin e tretë në grupe spikatin disa sfida tepër interesante.

Fillimisht prej orës 18:45, Man United do të luaj në transfertën qipriote me skuadrën e Omonias. “Djajtë e kuq” do të kërkojnë për të lënë pas humbjen turpëruese në derbin e Manchesterit, ku kampionët në fuqi të Anglisë triumfuan me rezultatin tenistik 6-3.

Me synimin për të arritur finalen e “Puskas Arena” , ekipi i Erik Ten Hag do të kërkojë fitoren e radhës, pasi një hap tjetër fals do të komplikonte situatën. Në grupin E, Real Sociedad është i vetmi ekip që kryeson me pikët e plota, ku në përballjen direkte ka mundur edhe Man. United.

Në këtë sfidë për “djajtë e kuq”, pritet që të aktivizohet si titullar pesë herë fituesi i topit të artë Cristiano Ronaldo. Erik Ten Hag do të përballet me një mungesë të rëndësishme në mbrojtje, pasi Raphael Varane u largua si i dëmtuar nga fusha në sfidën përball Man City.

Gjithashtu po në të njëjtën orë, do të luaj edhe Lazio. Ekipi italian do të përballet në transfertën austriake me Sturm Graz. Në grupin F, deri më tani gjithçka është e balancuar ku të katërta ekipet janë me tre pikë. “Shqiponjat” në tre përballjet e fundit në Serie A kanë treguar një super formë, ku kanë shënuar 10 gola, por në sfidën e fundit në Europa League, u shkatërruan nga danezët e Midtjylland me rezultatin 5-1. Synimi i vetëm i ekipit të trajnerit Sarri në këtë sfidë është 3-pikëshi për të mbajtur gjallë shpresat e kualifikimit deri në fund.

Prej orën 21:00 do të luajnë sfidën e tyre edhe favioritët kryesor për të fituar këtë edicion të Europa League. Me euforinë e triumfit në derbin e Londrës së veriut, Arsenali do të kërkoj të marrë fitoren e radhës kundër norvegjezëve të Bodo Glimt. Ekipi i Mikel Artetës do të luaj përballjen e dytë në Europa League, pasi sfida me PSV Eindhoven, e programuar për t’u luajtur në 15 shtator u shty për shkak të ndarjes nga jeta të Mbretëreshës Elisabetë.

Gjithashtu po në të njëjtën orë do të luhet një tjetër sfidë spektakolare në “Olimpico” ku Roma do të presë Real Betis. Ekipi i Mourinhos vjen nga një moment i mirë, pasi në kampionat triumfoi përballë Interit. Gjithsesi sfida do të jetë tepër e vështirë për kampionët e Conference League, pasi deri më tani Real Betis në grupin C kryeson me gjashtë pikë.

Klubi spanjoll gjithashtu ka shfaqur një formë të mirë edhe në La Liga, ku pas shtatë javësh ndodhen në vendin e katërt me 15 pikë. Gjithsesi Mourinho do të kërkoj fitoren me çdo kusht për vijuar rrugëtimin në Europa League, ku në të kundërtën në rast se Roma pëson një disfatë situata do të komplikohej, pasi klubi italian e ka pësuar një humbje në Europa League, ku në javën e parë u mundën nga Ludogorets./ Super Sport

Top Channel