Rikthim i pafat në “San Siro”/ Dëmtohet “luftëtari” i Barçës, rrezikon El Clasico-n

05/10/2022 16:46

Rikthimi në “San Siro”, stadium ku luajti për pesë sezone me Milanin, qëlloi fatal për Franck Kessie.

Barcelona humbi 1-0 duelin e Champions League ndaj Interit, teksa mesfushori nga Bregu i Fildishtë pësoi një dëmtim që do e mbajë disa ditë larg fushave të blerta.

25-vjeçari e nisi takimin nga stoli dhe u fut në fushë nga tekniku Xavi në minutën e 83’. Kessie u përball me një tërheqje muskulore në kofshën e djathtë. Me anë të një postimi në Twitter, Barcelona lajmëron dëmtimin e mesfushorit potent.

Kessie do t’i nënshtrohet kontrolleve të detajuara mjekësore për të mësuar kohën e rikuperimit. Te Barcelona shpresojnë të mos jetë një lëndim serioz, ndërkohë që objektivi i lojtarit afrikan është të jetë gati për El Clasico-n ndaj Realit të Madridit në “Santiago Bernabeu” (16 tetor)./ Super Sport

Top Channel