Tragjedia e Indonezisë, UEFA: Një minutë heshtje para çdo ndeshjeje në 4 kompeticione

04/10/2022 16:04

UEFA ka njoftuar se do të mbahet një minutë heshtje në një pjesë të madhe të ndeshjeve të futbollit, në kujtim të viktimave të tragjedisë që ndodhi në stadiumin Kanjuruhan në Indonezi, ku humbën jetët rreth 170 persona.

Ky lajm është bërë publik nga vetë UEFA në një reagim zyrtar, ku ndër të tjera zbulon dhe kompeticionet ku do të mbahet një minutë heshtje në çdo fillim ndeshjeje.

Të gjitha ndeshjet e kësaj jave në Champions League, Europa League, Conference League dhe play-off-i i Botërorit për femra do të nisë me një minutë heshtje.

Stadiumi Kanjuruhan u shndërrua në arenë përplasjesh të filluara nga tifozë të Arema Fc, që nuk pajtoheshin me humbjen me rezultatin 3-2 përballë rivalëve të përhershëm të skuadrës Persebaya Surabaya, klub me të cilin nuk humbisnin prej më shumë se 20 vitesh. Policia ndërhyri në përpjekje për t’i qetësuar, por pa sukses. Për të shpërndarë turmën, agjentët hodhën gaz lotsjellës, çka solli kaos e panik.

Stadiumi ka një kapacitet për të pritur deri në 42 mijë persona e të gjitha biletat për sfidën ishin shitur. Sipas të dhënave të autoriteteve, fushën e stadiumit e “pushtuan” 3 mijë vetë.

Jashtë impiantit sportiv, tifozët i vunë flakën shumë makinave, përfshirë një kamioni të policisë indoneziane. 13 automjete u shkatërruan në total. Qeveria indoneziane kërkoi falje e premtoi hetim të plotë.

Presidenti i Indonezisë, Joko Widodo urdhëroi një hetim për masat e sigurisë gjatë takimit të futbollit. Në një fjalim televiziv, u shpreh se “ministri i Sportit, policia e drejtuesit e Federatës së Futbollit, duhet të bëjnë një vlerësim të detajuar të ndeshjes e procedurave të sigurisë”.

Top Channel