Thyerja është e parikuperueshme, në janar Ronaldo me ekip të ri

04/10/2022 14:21

Cristiano Ronaldo ka prishur përfundimisht raportin e tij me Manchester United dhe portugezi do të largohet nga Anglia në janar.

Pika që ka mbushur kupën ishte lënia në stol në derbin e së dielës me Manchester City-n, i humbur 6-3.

Janë të bindura për këtë mediat britanike, që vënë në dukje se Ronaldo ka luajtur këtë sezon vetëm 80 minuta në Premier League dhe nuk luan si titullar që nga disfata 4-0 e pësuar nga Brendtfordi në fillim të shtatorit. Sipas Super Sport 5 herë fituesi i Topit të Artë bëri gjithçka që të ndryshonte ambient që gjatë verës, por të gjitha tentativat e menaxherit të tij, Jorge Mendes, për t’i gjetur një skuadër të nivelit të lartë në Europë, rezultuan një vrimë në ujë.

Ronaldo dëshiron të luajë ende në Champions League dhe për këtë arsye refuzoi një kontratë të pasur dyvjeçare prej 242 milionë eurosh nga Arabia Saudite, nga Al-Hilal.

Gjërat janë përkeqësuar, pasi vetëm në një muaj e gjysmë raporti me trajnerin Erik Ten Haag është prishur në mënyrë të parikuperueshme dhe deklaratat e teknikut holandez mbi mungesën e aktivizimit ndaj City-t vetëm sa i kanë hedhur benzinë zjarrit të polemikave në Angli.

“Nuk e hodha në fushë, në respekt të karrierës së tij”, u justifikua Ten Haag duke shtuar, po humbisnim 4-1 dhe Anthony Martial kishte nevojë për pak minuta pas dëmtimit. Në shtëpinë e United tashmë janë të bindur se gjëja më e mirë për të gjithë është që ta lejojnë Ronaldon të largohet dhe tani i i takon menaxherit Mendez që t’i gjejë 37-vjeçarit një skuadër ku të luajë.

Top Channel