Një femër mposht “yjet” e futbollit Messi, Mbappe, Lewandowski…

04/10/2022 17:18

Lojtarja e Barcelonës, Alexia Putellas, është lojtarja me klasifikimin më të lartë në FIFA 23, duke lënë pas “yjet” e futbollit të meshkujve si: Karim Benzema, Kylian Mbappe dhe Lionel Messi.

Putellas ka “rating” 92, diçka që e vë atë para homologëve të saj si Benzema, Messi, Mbappe, Kevin De Bruyne apo Robert Lewandowski, që të gjithë në kuotën e 91 pikëve.

Ky është një klasifikim i merituar për fituesen e Topit të Artë, që ka shijuar një sezon spektakolar. 28-vjeçarja udhëhoqi Barcelonën drejt fitimit të tretë radhazi kampion, vajzat “blaugrana” i fituan të 30 ndeshjet e kampionatit, me Putellas që shënoi 18 gola, duke dhënë edhe 15 asiste.

Putellas gjithashtu luajti dhe shënoi në çerekfinalet dhe gjysmëfinalet e Champions League për Barcelonën para turmës së tifozëve që theu rekordin e prezencave në “Camp Nou”.

Për fatin e keq të saj, klubi katalanas u mposht nga francezet e Lyonit në finalen e Champions League. Gjithsesi, kapitenia e kombëtares spanjolle nuk pati mundësi të shfaqte formën e saj fantastike në Kampionatin Europian të verës. Sipas Super Sport Putellas pësoi një dëmtim të rëndë në gju vetëm pak ditë para turneut, që e la atë jashtë Europianit.

Edhe pse, momentalisht, ajo ka klasifikimin më të lartë në lojën e famshme të play station , “ylli” i PSG-së, Mbappe, ka potencialin për ta parakaluar atë, duke u bërë lojtari më i mirë i lojës. “Ylli” francez, që luan me PSG-në, aktualisht klasifikohet me 91 pikë, por me progresin e duhur mund të rritet deri në një vlerësim në kuotën 95. ]

Ndërkohë, për sa i përket pjesës tjetër, ka një garë të fortë, me Phil Foden, Vinicus Junior dhe portierin e PSG Donnarumma, që, nëse luajnë si duhet, mund të arrijnë të vlerësohen me 92 pikë.

Top Channel