Wanda s’e lë të futet në shtëpi, tifozët të zhgënjyer! Nisin problemet për Icardin në Stamboll

03/10/2022 22:21

Nisin problemet e para për Mauro Icardin te Galatasaray.

Pasi shënoi një gol nga penallti në miqësoren kundër Istanbulsporit, më 24 shtator, argjentinasi po stërvitej për të qenë titullar, por disa ditë para ndeshjes kundër Adana Demirsporit në Superligën Turke, ai tha se kishte probleme fizike dhe u tërhoq nga ndeshja e fundjavës.

Galatasaray do të ketë një ditë pushim dhe Mauro Icardi mori vendimin të nisej për në Argjentinë për të zgjidhur problemet me Wanda Narën, e cila, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale lajmëroi se po ndahej nga Maurito.

Në klubin turk u befasuan nga kjo situatë dhe sigurisht kanë lindur dyshimet e para. Tifozët e Galatasaray-t nuk e pritën mirë kur mësuan se Mauro Icardi preferoi të shkonte në Argjentinë dhe jo të vijonte stërvitjen për ndeshjen e radhës. Ata tashmë dyshojnë se ai nuk ka kaluar asnjë dëmtim.

Zëvendëspresidentit të klubit, Erden Timur, iu desh të dilte dhe të deklaronte se Icardi ishte me të vërtetë i dëmtuar dhe shfrytëzoi rastin për të sqaruar se edhe futbollistët e tjerë të huaj në skuadër kishin disa ditë pushim për t’u larguar me familjet e tyre.

Mauro Icardi e bëri sërish të qartë se nuk dëshiron të ndahet nga Wanda Nara dhe për këtë arsye ka udhëtuar drejt Argjentinës. Mirëpo partnerja e tij (ose ish-partnerja) nuk e ka lejuar të hyjë në shtëpinë e saj (kishte udhëzuar rojet e sigurisë ta pengonin). Me këto probleme të mprehta në familje, vështirë se Icardi do të shfaqet në versionin e tij më të mirë te Galatasaray.

 

Top Channel