Kryeministri Edi Rama është i bindur se Partia Demokratike ka pranuar financime ruse dhe këtë fakt, thekson ai, Sali Berisha e di më së miri.
Më herët, në një deklaratë për mediet, Berisha theksoi se në arkën e PD-së nuk ka hyrë apo dalë asnjë qindarkë nga paratë ruse. “I vetmi koment për Lulzim Bashën është të bëjë transparent problemin e fondeve ruse. Kjo është shumë serioze”, tha ai.
Ndërkohë, Rama nga kuvendi e cilësoi këtë deklaratë një tallje të madhe, ndërsa tha se ish-kryeministri po ndryshon qëndrim.
“Kjo tallje e madhe nuk ka për t’ju ecur. Kur kjo çështje u bë publike, nuk do të kishit bërë betime dhe përbetime për virgjërinë e Lulit. Nuk do do të kishte qenë ‘non grata’ juaj që s’do të nxirrte çarçafin e bardhë të virgjëreshës që mbani në krye.
Që PD është financuar me para ruse, kjo është botërisht e njohur. Fakt i mohuar kategorikisht nga ju, se unë nuk e kam dëgjuar nga ju atëherë. Atëherë fjalimi juaj ishte komplet tjetër”.
Kush na thoshte mos ma prekni Lulin, pyet Rama.
“Jo vetëm që kanë hyrë në dijeninë e plotë të një grushti njerëzish, një grusht që është ndarë në dy duar tani. Por ka më shumë se aq. Unë do t’ju sugjeroja të mos nxitoni me deklarata që do t’ju bien prapë ndesh. Ju se keni problem se s’keni lidhje me të vërtetën. Se keni problemin t’i rrëmoni të gjitha, për sa kohë që keni njerëz që ju vijnë nga pas qorrazi dhe janë gati për t’i shpallur luftë botës”, u shpreh kryeministri më tej.
Një muaj më parë, një zyrtar i lartë amerikan deklaroi se Rusia ka dhënë fshehurazi mbi 300 milionë dollarë për parti politike dhe kandidatë në dhjetëra vende, që nga viti 2014 dhe mes tyre ishte Shqipëria.
“Në Shqipëri, Rusia i dha rreth gjysmë milioni dollarë Partisë Demokratike në 2017 përmes kompanive fantazmë”, tha burimi i qeverisë amerikane.
Më pas ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha e mohoi këtë deklaratë duke thënë se “Partia Demokratike nuk ka marrë kurrë asnjë financim të huaj e aq më pak me burim rus.”
Top Channel