Pse Mbretëresha e Danimarkës Margrethe II u hoqi titujt mbretëror nipërve të saj

30/09/2022 09:46

Mbretëresha e Danimarkës Margrethe II u ka hequr titujt katër prej tetë nipërve të saj.

Tani, fëmijët e Princit Joachim, Nikolai, 23 vjeç, Felix, 20 vjeç, Henrik, 13 vjeç dhe Athena, 10-vjeçe nuk mund të trajtohen më si princa dhe princesha, ose si anëtarë të familjes mbretërore. Në njoftim u tha se:

Madhështia e saj Mbretëresha dëshiron të ‘thyejë’ kornizën për katër nipërit, të jenë në gjendje të formësojnë jetën e tyre në një masë shumë më të madhe pa u kufizuar nga konsiderata dhe detyra të veçanta që përfshin një lidhje formale me Shtëpinë Mbretërore të Danimarkës si institucion.

Që nga janari 2023, ata nuk do të kenë më titujt e tyre, megjithëse nuk i kanë humbur vendet në radhën e fronit pasi aktualisht janë në vendet shtatë, tetë, nëntë dhe dhjetë. Deklarata vazhdoi:

Vendimi i Mbretëreshës është në përputhje me rregullat e ngjashme që shtëpitë e tjera mbretërore kanë bërë në mënyra të ndryshme vitet e fundit.

Megjithatë, tani për tani, vendimi prek vetëm fëmijët e Joachimit, djalit të dytë të mbretëreshës që njihet si mbretëresha e spikatur për veshjen e saj, humorin dhe karakterin e veçantë. Fëmijët e Princit të Kurorës Frederik do të ruajnë titujt e tyre, pasi babai i tyre është trashëgimtar i fronit. Lajmi nuk është pritur mirë nga nëna e fëmijëve e cila tha për mediet se janë të shokuar nga vendimi.

Fëmijët ndihen të izoluar. Ata nuk mund ta kuptojnë pse po u hiqet identiteti.

Top Channel