Kreu i FIFA-s viziton Kosovën, Infantino: Do arrijë sukses në futboll, ka talente të shkëlqyer

30/09/2022 16:00

Presidenti i Federatës Botërore të Futbollit, Gianni Infantino ka realizuar vizitën e tij të parë në Kosovë.

Kreu i FIFA-s në këtë qëndrim në Kosovë ka nderuar legjendën e futbollit kosovar Fadil Vokrrin.

Infantino foli për futbollin në Kosovë duke thënë që duhet bashkëpunim për ta ngritur edhe më shumë.

“Kur diskutuam me Presidenten, Kryeministrin, Ministrin e Sportit dhe komunitetin e futbollit folëm se si mund ta ngremë futbollin në një nivel tjetër. Është një vend që do të ketë sukses në futboll, meshkujt dhe gratë sepse tashmë ka disa futbollist të shkëlqyer”, tha Gianni Infantino, presidenti i FIFA-s.

Ndërkohë që kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi falënderoi Infantinon për mbështetjen.

Gianni Infantino gjatë vizitës në Kosovë ishte i shoqëruar edhe me kryetarin e Federatës së Futbollit të Shqipërisë, Armand Duka dhe kryetarin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muamed Sejdini.

Infantino në ditën e tij të parë në Kosovë u takua edhe me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çekun dhe kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama nga i cili mori edhe çelësin e qytetit.

 

Top Channel