‘Kthim te pluhuri’/ Zhduket nga platformat ‘online’ filmi i dashur kinez për vështirësitë e jetës fshatare (Video)

29/09/2022 21:37

Zhdukja nga platformat e internetit të një prej filmave më të ndjekur modernë në Kinë, ka ndezur akuza censure ndaj autoriteteve, para kongresit të rëndësishëm të partisë.

Subjekti i filmit është një histori dashurie mes vështirësive të jetesës familjare në Kinën rurale, por disa javë pas publikimit të tij është hequr nga të gjitha platformat e shitjes apo rrjetet sociale.

Filmi “Kthim te pluhuri” është vlerësuar nga audienca të gjera në vend për përshkrimet e tij realiste të jetës rurale në Kinë.

Por për të njëjtën arsye ai kishte tërhequr kritika nga zërat nacionalistë që e akuzonin se portretizonte vendin në dritë negative, shkruan britanikja ‘TheGuardian’.

Filmi kishte bërë premierën e tij në festivalin ndërkombëtar të filmit në Berlin, prandaj zhdukja e papritur nga rrjeti ka shtuar zërat e pakënaqësisë së censurës qendrore, mes rritjesh së ndjeshmërisë së autoriteteve para kongresit të partisë.

Çifti në qendër të filmit– i luajtur nga aktorja e njohur kineze Hai Qin ndërsa fermeri i luajtur nga aktori i ri pa eksperiencë Wu Renlin – bien në dashuri pasi vendosen në një martesë me mblesëri. Ata më pas ecin në jetë mes vështirësive te medha e halleve të shëndetit, te strehimit e ruajtjes së pronës, teksa jetojnë në një fshat rural që është shënjestruar nga zhvillimet ndërtimore.

Pas publikimit në kinematë kombëtare, filmi artistik u kthye në një “hit” duke kryesuar shikimet për të nëntën javë radhazi në vend, shkruan TheGuardian.

Por prej mesit të këtij muaji shfaqjet e tij nisën të jepeshin me përfundim të ndryshuar, siç janë ndryshuar dhe filma të tjerë që nuk përputhen me ideologjinë e partisë, deri sa u ndalua krejtësisht nga shfaqjet.

Autoritetet kanë censuruar gjithashtu grupe dhe rrjetet të krijuara për informacion mbi çështjen, duke shtuar zemërimin e përdoruesve që mes të tjerave komentonin “Pse arti kinez është bërë vetëm një vegël e klasës në pushtet?”

“Duhet të jetë vetëm skenë e një familjeje të lumtur e të lulëzuar, që të jetë e vërtetë?”, pyeste një tjetër në rrejtin gjigant social kinez Weibo.

“Fshije vuajtjen, dhe vuajtja nuk do të ekzistojë,” shkruante një tjetër.

“The Guardian” tha se kishte kontaktuar me autoritetet kineze të internetit të cilat nuk kishin komentuar.

FOTO GALERI
2/5
Çifti në qendër të filmit bien në dashuri pasi vendosen në një martesë me mblesëri.

Top Channel