Një gjykatë federale e apelit të mërkurën lejoi Departamentin e Drejtësisë të rifillojë analizimin e dokumenteve të klasifikuara, të marra në Mar-a-Lago, si pjesë e hetimit të tij penal, duke hedhur poshtë argumentet ligjore të avokatëve të ish-presidentit Donald Trump.
Vendimi i një paneli prej tre gjykatësish të Gjykatës federale të Apelit të Qarkut të 11-të përbën një fitore të madhe për Departamentin e Drejtësisë, duke i hapur rrugën hetuesve që të vazhdojnë shqyrtimin e dokumenteve për të parë nëse duhet të ngrenë akuza penale për shkelje të rregullave për ruajtjen e të dhënave tepër sekrete në Mar-a-Lago pas largimit të ish presidentit Trump nga Shtëpia e Bardhë. Me këtë vendim, gjykata hoqi një pengesë thelbësore që mund ta kishte vonuar hetimin me javë të tëra.
Gjykata e apelit gjithashtu vuri në dukje se ish-presidenti Trump nuk kishte paraqitur asnjë provë se ai kishte deklasifikuar të dokumentet sekrete, siç pohonte ai deri të mërkurën, dhe hodhi poshtë mundësinë që zoti Trump mund të kishte një “interes individual ose nevojë për” afërsisht 100 dokumente të etiketuara si të klasifikuara që u sekuestruan nga FBI-ja gjatë kontrollit më 8 gusht në pronën e tij në Palm Beach të Floridës.
“Nëse je presidenti i Shteteve të Bashkuara, mund të deklasifikosh (një dokument) vetëm duke thënë ‘Është i deklasifikuar’. Edhe nëse e mendon këtë….Ti je presidenti, ti e merr atë vendim”, tha zoti Trump në një intervistë të transmetuar në kanalin Fox News të mërkuren para vendimit të gjykatës së apelit.
Qeveria kishte argumentuar se hetimi i saj ishte penguar dhe shqetësimet për sigurinë kombëtare nuk ishin marrë parasysh, nga urdhëri i gjykatëses federale, Aileen Cannon që i ndalonte përkohësisht hetuesit të vazhdonin të përdornin dokumentet në hetimin e Departamentit të Drejtësisë. Gjykatësja Cannon, e emëruar nga ish-presidenti Trump, kishte thënë se vendimi i saj do të mbetej në fuqi deri pasi të mbaronte shqyrtimi i dokumenteve nga një ekspert ligjor i pavarur që ajo e kishte caktuar me kërkesë të avokatëve të zotit Trump.
Paneli i apelit u pajtua me shqetësimet e Departamentit të Drejtësisë.
“Është e qartë se publiku ka një interes të fortë për t’u siguruar që ruajtja e të dhënave të klasifikuara të mos rezultojë në ‘dëm jashtëzakonisht të rëndë për sigurinë kombëtare’, thanë ata. Sipas tyre, kjo përfshin nevojën për rishikimin e dokumenteve të kalsifikuara.
Dy nga tre gjykatësit që dhanë vendimin e së mërkurës – Britt Grant dhe Andrew Brasher – ishin emëruar nga zoti Trump. Gjykatësi Robin Rosenbaum është emëruar nga ish-presidenti Barack Obama.
Avokatët e zotit Trump nuk i dhanë përgjigje një pyetjeje të dërguar me email lidhur me këtë vendim dhe nëse ata do ta apelonin atë. Departamenti i Drejtësisë ende nuk ka bërë komente për këtë çështje.
FBI-ja muajin e kaluar sekuestroi afërsisht 11,000 dokumente, duke përfshirë rreth 100 të klasifikuara, gjatë një kontrolli të autorizuar nga gjykata në Mar-a-Lago. Ajo ka nisur një hetim penal për të parë nëse të dhënat janë keqpërdorur apo komprometuar, megjithëse nuk është e qartë nëse ndaj ish-presidentit Trump apo dikujt tjetër do të ngriheshin akuza për një gjë të tillë./VOA
Top Channel