Amabsadori i Britanisë së Madhe, Alastair King-Smith foli këtë mbrëmje në “Top Story” për Mbretëreshën e ndjerë, Elizabeta II.
Ai falenderoi shqiptarët për ngushëllimet e shprehura për humbjen e Madhërisë së Saj.
Elizabeta II ishte e dashur për shqiptarët, aq sa një nga bashkitë e veriut do të ngrejë një bust për Mbretëreshën.
Duke komentuar këtë gjest, Alastair King-Smith shprehu mirënjohjen për nderimin që iu bë gjatë këtyre ditëve Mbretëreshës.
“Për mua ka qenë një gjë e veçantë që ndodhem këtu për më shumë se një vit, pak më shumë se një vit, dhe shoh se sa shumë e respektojnë shqiptarët mbretëreshën dhe Britaninë e Madhe. Po ashtu, edhe Mbretërinë e Bashkuar. Jam shumë i prekur, jo vetëm që Shkëlqesia e tij Presidenti ishte personi i parë që erdhi për të shprehur ngushëllimet, por edhe që parlamenti mbajti një minutë heshtje në respekt të Madhërisë së Saj dhe këtij momenti të veçantë. Është shumë e rrallë që parlamentet dhe anëtarët e zgjedhur në mënyrë demokratike të parlamentit ta bëjnë këtë. Gjithashtu, e vlerësoj shumë që midis vendeve tona ka shumë lidhje familjare, dhe në fakt përmes këtyre komuniteteve lidhjet njerëzore po rriten me ritme të shpejta. Siç thoni ju, në Mbretërinë e Bashkuar jetojnë shumë shqiptarë që tashmë janë edhe qytetarë britanikë, prandaj janë të shumta lidhjet. Përmes turizmit do të shohim shumë më tepër lidhje dhe këto do të vijnë duke u forcuar. Kjo është e rëndësishme”.
Tashmë mbretërimin e ka marrë pasuesi i Mbretëreshës, Karli III. Gazetari Sokol Balla e pyeti amabsadorin nëse ekziston mundësia që Mbreti të vizitojë Shqipërinë.
Të shohim nëse mund ta realizojmë këtë, tha ai.
“Mendoj se Mbreti Karl dhe bashkëshortja mbretëreshë, Kamila, ndoshta tashmë kanë krijuar afeksion për Shqipërinë. E kuptoj që Kamila më parë ka arritur të vijë nga Korfuzi për të parë Butrintin. Dimë që mbreti Karl e do pikturën, e do historinë, por gjithashtu, mendoj se Shqipëria nuk ofron vetëm arkeologjinë, historinë, bukurinë e peizazhit, por në fakt edhe një gjë tjetër që mbreti Karl tashmë e ka kthyer në një pjesë të rëndësishme të angazhimit të tij dhe jam i sigurt se do ta vazhdojë, pra interesin për dinamikat midis besimeve dhe dinamikat e komunitetit. Dhe sigurisht, Shqipëria ka një përvojë shumë të mirë dhe diçka për t’i ofruar botës. Mendoj se mund të ketë interes, dhe do të shohim nëse kjo do të kthehet në një vizitë mbretërore, por jam i sigurt se ata do të vazhdojnë të ushqejnë ndjenjat miqësore që kanë ekzistuar për Shqipërinë tek Mbretëresha dhe tek Britania e Madhe, në tërësi”.
Top Channel