Zjarri në Shëngjin/ Policia shoqëron një person, dyshohet se shkaktoi flakët ndërsa po digjte mbeturinat pranë malit

04/07/2026 12:00

Operacioni për të shuar zjarrin që nisi mbrëmë në malin e Shëngjinit ka vijuar, ndërsa në terren janë të angazhuar zjarrfikës, punonjës të emergjencave civile, shërbimit pyjor dhe forca të ushtrisë.

Duke folur për situatën gjatë ditës së sotme, kreu i bashkisë Pjerin Ndreu dhe drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile Haki Çako kanë apeluar për kujdes të shtuar jo vetëm nga institucionet, por edhe qytetarët, dhe të shmangin djegien e sipërfaqeve bujqësore dhe mbeturinave, pasi rrezikojnë përshkallëzimin e flakëve dhe do të jenë objekt i ligjit.

Për zjarrin në Shëngjin, policia ka ndaluar një person, Bashkim Alijan, i cili dyshohet se shkaktoi flakët ndërsa po digjte disa mbeturina shumë pranë malit.

Shëngjin

I vuri zjarrin mbeturinave dhe tentoi të fshihte provat, pasi zjarri përfshiu një sipërfaqe të madhe pyjore
në malin e Shëngjinit,
falë reagimit dhe veprimeve të shpejta identifikohet dhe arrestohet autori i dyshuar i zjarrvënies.

Në vijim të veprimeve hetimore për zbardhjen e rrethanave të zjarrit të rënë në zonën e Shëngjinit, specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë arrestuan në flagrancë një shtetas 57-vjeçar.

Ky shtetas dyshohet se më datë 03.07.2026, në vendin e quajtur “Sagë”, Shëngjin, ka ndezur zjarr për djegien e disa mbeturinave pranë subjektit të tij tregtar, por zjarri ka dalë jashtë kontrollit, duke përfshirë dhe djegur sipërfaqe të madhe pyjore në malin e Shëngjinit.

Gjithashtu, gjatë përhapjes së flakëve, në terren ka ndodhur një shpërthim, i dyshuar si i shkaktuar nga një predhë luftarake e pashpërthyer, e cila ka shpërthyer si pasojë e zjarrit në zonën malore. Si pasojë është dëmtuar shtetasi A. U., 30 vjeç, i cili ndodhej si pasagjer në një automjet që ishte në lëvizje në zonë. Ai ka marrë menjëherë ndihmën mjekësore dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes ka rezultuar se nga ana e shtetasit të dyshuar është hequr DVR-ja e subjektit, me qëllim pengimin e zbulimit të së vërtetës.

Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestua shtetasi B. A., 57 vjeç, banues në Shëngjin, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “Shkatërrimi nga pakujdesia me zjarr i pyjeve dhe mjedisit pyjor” dhe “Plagosje e lehtë nga pakujdesia”.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë apelon për kujdes maksimal nga qytetarët, duke i ftuar të mos ndërmarrin veprime që mund të shkaktojnë zjarrvënie, pasi do të përballen me ligjin.

Gjithashtu, fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në numrin 112, duke iu garantuar anonimat dhe reagim të menjëhershëm.

Top Channel