Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko priti në një takim zyrtar zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të Fondit Monetar Ndërkombëtar, z. Bo Li.

Zyrtari i FMN, i shoqëruar nga Domenico Fanizza, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë në FMN dhe zj. Stephanie Eble, Përfaqësuese Rezidente Rajonale për Ballkanin Perëndimor, janë duke zhvilluar një sërë takimesh të nivelit të lartë me autoritetet kryesore të vendit në kuadër të vizitës të tij zyrtare në Shqipëri.

Në takimin e zhvilluar në ambientet e Bankës së Shqipërisë, Sejko vlerësoi marrëdhëniet e bashkëpunimit midis Bankës së Shqipërisë dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, të cilat kanë qenë një mbështetje e vazhdueshme për hartimin e reformave ekonomike dhe financiare të vendit dhe sidomos për zbatimin e reformave të nevojshme për konsolidimin e sistemit bankar shqiptar.

Sejko e njohu zotin Li me zhvillimet më të fundit makroekonomike në Shqipëri, me ecurinë e inflacionit dhe masat e marra nga Banka e Shqipërisë për mbajtjen e tij nën kontroll, me ecurinë e kreditimit në vend, konsolidimin e sistemit bankar dhe punën e bërë  nga Banka e Shqipërisë në këtë fushë.

Guvernatori tha se Banka e Shqipërisë ka vijuar procesin e normalizimit të politikës monetare, duke rritur normën bazë të interesit 3 herë gjatë këtij viti, për kontrollin e presioneve inflacioniste dhe kthimin e inflacionit në objektiv brenda një horizonti kohor afatmesëm.

“Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të ndërhyjë në kohën dhe me forcën e duhur për të garantuar stabilitetin e çmimeve në vend, duke krijuar kushte të përshtatshme për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të ekonomisë shqiptare.”- u shpreh Guvernatori.

Sipas tij, ambienti i jashtëm vazhdon të mbetet sfidues. Megjithatë, Guvernatori parashtroi se ekonomia shqiptare pritet të shënojë rritje në vitin 2022 e më tej, duke dëshmuar gjerësinë dhe soliditetin e burimeve të rritjes, qëndrueshmërinë e mbështetjen e sektorit financiar, si dhe fleksibilitetin e sektorit privat.

Për sa i përket sistemit bankar, Guvernatori u shpreh se vitet e fundit ky sistem ka patur një konsolidim të mëtejshëm, karakterizuar nga tregues të qëndrueshëm financiarë dhe likuiditet i bollshëm për të mbështetur zhvillimin e vendit. Gjatë vitit 2022, depozitat dhe kreditë u rritën, cilësia e kredisë vijoi përmirësimin dhe treguesit e tjerë të qëndrueshmërisë financiare mbetën në nivele të përshtatshme.

Disa nga çështjet e tjera në të cilat ai u ndal ishin nxitja e kreditimit të shëndetshëm, reduktimi i kredive me probleme, digjitalizimi i tregut të pagesave dhe fuqizimi i aftësisë për ndërhyrje të jashtëzakonshme. Ndërmarrja e hapave konkretë në secilën fushë mbetet një tregues konkret i angazhimit të Bankës së Shqipërisë për respektimin e detyrave të saj ligjore, adresimin e sfidave të reja, si dhe mirëqeverisjen institucionale.

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i FMN, z. Bo Li, nga ana e tij theksoi se vitet e fundit, Shqipëria është përballur me tre goditje të forta të njëpasnjëshme si tërmeti i vitit 2019, pandemia mbarëbotërore dhe rritja e theksuar e ҫmimit të energjisë dhe ushqimeve për shkak të luftës në Ukrainë e megjithatë vendi ka vazhduar progresin e tij, falë edhe masave mbështetëse dhe koordinimit përkatës të autoriteteve kryesore në vend për të kufizuar në kohë efektin e këtyre goditjeve.

“Banka e Shqipërisë me të drejtë ka nisur procesin e normalizimit të politikës monetare në vitin 2022 për të mbajtur në kontroll presionet inflacioniste.” – u shpreh z. Li.

Më tej, Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm, z Li, nënvizoi se pavarësisht sfidave botërore dhe efekteve të tyre lokale, Shqipëria duhet të vazhdojë rrugën e reformave të mëtejshme me qëllim adoptimin dhe përafrimin me standardet e BE-së. Forcimi i institucioneve, përmirësimi i qeversisjes dhe përputhshmëria me standardet më të mira ndërkombëtare mbeten kushte thelbësore për zbatimin e reformave dhe arritjen e këtyre objektivave.

Në përfundim të takimit, përfaqësuesit e FMN-së vizituan edhe Muzeun e Bankës së Shqipërisë, ku u njohën me rrugëtimin ndër vite të monedhës shqiptare, historinë financiare të vendit dhe krijimit të bankës qendrore në Shqipëri.

FOTO GALERI
4/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA