Betje e Drashovicës, përkujtohet rezistenca e partizanëve ndaj nazistëve në Luftën e Dytë Botërore

18/09/2022 20:11

U mblodhëm sot për të përkujtuar një nga faqet më të ndritura të luftës për liri, betejën e Drashovicës, e cila u zhvillua prej datës 14 shtator deri në fillim të tetorit 1943.

Së bashku me prefektin e qarkut Flamur Mamaj, kreun e këshillit të qarkut Ervis Moçka, kreun e bashkisë së Selenicës Pëllumb Binaj, deputeti Vullnet Sinaj, zv.ministrja e turizmit Vilma Bello dhe me plot miq e dashamirës, pasardhës të dëshmorëve e veteranëve kremtuam 79-vjetorin e rezistencës heroike ndaj forcave naziste.

Beteja e Drashovicës, nuk ishte një rast episodik në historinë e luftës. Ajo betejë kishte rëndësi strategjike për Luftën, sepse u bë për të penguar nazistët në marrjen e depove dhe fortifikimeve të italianëve që po tërhiqeshin. Populli i Vlorës e ka larë lirinë me gjak, ndaj sot e gjithmonë nderojmë kujtimin e atyre që bënë historinë. Nderim të rënëve! Lavdi Drashovicës heroike! Lavdi Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare! Ndërkohë, pas ceremonisë së mbajtur pranë monumentit të Drashovicës, bashkia kishte organizuar një panair me prodhime bujqësore dhe blegtorale.

Fitimi i luftës është po me aq rëndësi sa “fitimi i paqes”. Të gjithë sot duhet të punojmë me vendosmëri për zhvillimin e zonës, mirëqenien e komunitetit dhe të ardhmen e begatë të fëmijëve tanë.

 

Top Channel