“Ngacmonte seksualisht punëtoret”, nis hetimi ndaj presidentit të Federatës Franceze të Futbollit

16/09/2022 16:22

Akuzat për ngacmime seksuale nuk kanë fund në botën e futbollit. I radhës që përballet me akuza të tilla është Noel Le Graet, presidenti i Federatës Franceze të Futbollit.

Revista So Foot zbuloi në ditët e para të shtatorit akuzat ndaj 81-vjeçarit, i cili mban postin e kreut të futbollit francez prej vitit 2011. Ky i fundit ka reaguar duke paditur revistën franceze për shpifje.

Le Graet është takuar mëngjesin e sotëm me ministren e Sporteve në Francë. Amelie Oudea-Castera ka urdhëruar nisjen e hetimeve për një rast të tillë menjëherë pas bisedës së kryer me presidentin e FFF.

Bëhet fjalë për një “mision kontrolli” që do të kryhet nga organi shtetëror i inspektimit përgjegjës për sportin në Francë. Le Graet akuzohet se ka ngacmuar seksualisht disa femra që punojnë në Federatë, veprim për të cilin mund ta pësojë keq përpara fillimit të Kupës së Botës.

Franca zbarkon si ekipi kampion në fuqi në Katar. Botërori do të zhvillohet në periudhën 20 nëntor-18 dhjetor, teksa skuadra e Deschamps është pjesë e grupit D bashkë me Danimarkën, Australinë dhe Tunizinë.

Top Channel