Tirana ka startuar festivalin “Digital Nomad”, i cili për tre ditë me radhë do të kthehet në pikëtakimin e ekspertëve digjitalë nga vende të ndryshme të botës, për të ndarë përvojat e tyre me profesionistë, sipërmarrës dhe novatorë të rinj, që aktualisht eksplorojnë botën e teknologjisë dhe punës në distancë.
Në të tre ditët e këtij festivali, që po zhvillohet në Tumo Center, janë organizuar panele të ndryshme me folës ndërkombëtarë, që i janë bashkuar edicionit të parë të Tirana Digital Nomad Festival, prezenca e të cilëve është mundësuar nga mbështetja e GIZ Albania dhe Bashkisë së Tiranës, si organizatore e një festivali risi në llojin e tij.
“Është shumë pozitive se si ka ndryshuar Shqipëria 2-3 vitet e fundit, e cila ka krijuar një bazë talentesh dhe një komunitet njësoj si në Izrael, apo edhe në vendet e tjera. Tirana është zhvilluar shumë si qytet dhe ato çka ofron janë shumë të rëndësishme për teknologjinë. Me 1 vit ose 2 vjet shkollë në Tumo merrni njohuritë e duhura që ju të punoni në të gjithë botën,” shprehet Daniel Schroeder, CMO, SIEMENS Mobility Software.
Menaxherja e TUMO-s, Shqipe Berisha, thotë se çdo javë në këtë qendër mësojnë 1500 studentë.
“Tashmë bëjmë 2 vjet që jemi hapur dhe rreth 1500 studentë vijnë çdo javë në Tumo për të mësuar aftësi dixhitale, si graphic design, robotikë, etj. Mezi po presim të kalojmë te Piramida, sepse këtu jemi në kufijtë e maksimumit të kapacitetit dhe te Piramida do të dyfishohemi,” u shpreh ajo.
“Tirana u bë kohë që është kryeqyteti i zhvillimit dixhital në Shqipëri, por është dhe një nga ato qytetet që po rilind nëpërmjet teknologjisë. Edhe në rajon ka marrë një vëmendje shumë të lartë, jo vetëm nga kompani të huaja, por ka marrë vëmendje edhe nga “nomadët dixhital” të cilët mund të përdorin Tiranën si një bazë pune, por edhe një ambient ku ata mund të bashkëpunojnë me një komunitet të caktuar,” tha Arjan Ymeri, “ Ofiçina” Center.
Top Channel