Turizmi, 2022 viti i artë/ Gjashtë muajt e parë turistët sollën në Shqipëri 1.13 miliardë euro

13/09/2022 15:13

Viti 2022 duket se do të jetë më i arti për turizmin shqiptar. Sipas të dhënave të bankës së Shqipërisë vetëm për 6-mujorin e parë prurjet e turistëve të huaj llogariten në 1.13 miliardë euro, mbi 440 milionë euro më shumë se krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.

Të ardhurat nga turizmi rezultojnë të jenë më të larta edhe se 6-mujori i vitit 2019, që cilësohet edhe si viti më i mirë për sektorin e turizmit ku përgjatë gjithë vitit turistët sollën mbi 2 miliardë euro.

Jo vetëm në të ardhurat e gjeneruara, por edhe në numër shifrat e turistëve kanë qenë të larta këtë periudhë. Sipas INSTAT, përgjatë 7-mujorit të këtij viti kanë hyrë në vend mbi 3.9 milionë vizitorë të huaj, 40% më shumë se e njëjta periudhë e vitit që lamë pas.

Sipas Bankës së Shqipërisë, rritja e shpenzimeve nga turistët këtë periudhë është ndikuar edhe nga eventet sportive dhe kulturore të zhvilluara në vendin tonë, veçanërisht finalja e Conference League që solli tifozë e vizitorë të shumtë në vend duke dhënë ndikim jo të vogël aktivitetet e lidhura me turizmin.

Nga ana tjetër, edhe shqiptarët që udhëtojnë jashtë vendit kanë rritur shpenzimet duke bërë që vetëm në pjesën e parë të vitit të shpenzojnë përtej kufijve 794 milionë euro, rreth 395 milionë euro më shumë se krahasuar me një vit më parë. Kjo për shkak edhe të zbutjes së kufizimeve prej pandemisë nga shtetet e huaja duke lehtësuar lëvizjen e njerëzve.

Prej janarit e deri në fund të korrikut janë rreth 3 milionë shqiptarë që kanë dalë jashtë vendit sipas INSTAT, mbi 40% krahasuar më vitin e kaluar.

 

 

Top Channel