Përmes mbledhjes së kryesisë, pensionistët e Kosovës përcollën mesazhin e qartë se duan që nipërit dhe mbesat e tyre t’i kthehen sa më shpejt bankave të shkollës dhe greva ne arsim të mbyllet.
Ata konsiderojnë se ky aksion është me prapavijë politike dhe bënë thirrje të nisë sa më parë dialogu mes Qeverisë dhe Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë. Sipas tyre nuk është e pranueshme që fëmijët të përdoren si mjet shantazhi.
Ismajl Muqiqi, i cili ishte dhe nismëtari i kësaj mbledhjeje insistoi procesi mësimor të fillojë gjatë kësaj jave, në të kundërt tha ai, do të marrin masat e tyre.
“Kërkojmë ndërprerjen e grevës, ose do t’i çojmë nipërit e mbesat para shkollave…”- u shpreh Ismajl Muqiqi.
Një tjetër pensionist, Asllan Asllani pati një propozim konkret për qeverinë.
“Pse të mbeten fëmijët pa shkuar në shkollë? Të gjithë jemi të pakënaqur e pagat dhe rrogat kemi bërë shumë për të ardhur në këtë kohë, ua shoh për të madhe edhe jo njerëzore të gjithë atyre që punojnë në arsim që u ngritën për 100 euro dhe fëmijët mbeten në rrugë. Propozoj që të japim kontributin tonë edhe nëse është nevoja te punohet pa para, shkoj e mbaj mësimin pa rrogë, kam punuar 10 vite në arsim kurrë nuk jam ankuar për asgjë…”- shprehet Asllani.
Nxënësit në Kosovë ende nuk e kanë nisur procesin mësimor pasi arsimtarët e të gjithë institucioneve publike janë në grevë me kërkesën për mbështetje financiare prej 100 eurosh në muaj deri në finalizimin e Ligjit të Pagave.
Top Channel