Kryeministri pakistanez, Shahbaz Sharif, i ka thënë një diplomati amerikan në Islamabad se bota duhet të intensifikojë luftën e saj kundër ndryshimeve klimatike.
Këtë apel ai e ka bërë në kohën kur vendi i tij po përballet me përmbytje, të cilat kanë përfshirë një të tretën e Pakistanit.
Zyra e Sharifit tha se këtë apel ai ia bëri Derek Chollet, zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit.
Shtetet e Bashkuara u janë bashkuar përpjekjeve ndërkombëtare për të ndihmuar Pakistanit nga përmbytjet.
Vërshimet në Pakistan kanë mbuluar me ujë pothuajse një të tretën e këtij shteti, teksa numri i viktimave ka arritur në 1.343. Nga vërshimet janë prekur 33 milionë njerëz nga popullsia prej 220 milionë banorësh.
Për këtë fatkeqësi faji i është hedhur ndryshimeve klimatike, teksa qindra mijëra persona kanë mbetur pa shtëpi dhe autoritetet pakistaneze kanë vlerësuar se dëmet e shkaktuara nga vërshimet arrijnë në vlerën e të paktën 10 miliardë dollarësh./ Radio Evropa e Lirë
Top Channel