Hungaria “gjemb në shpinën” e BE-së: Pengon çmimin tavan për gazin rus!

09/09/2022 12:30

Hungaria po pengon planet e BE-së për t`i vendosur një cmim tavan gazit rus. Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, paralajmëroi se një propozim i tillë do të rezultonte me ndërprerjen e menjëhershme të furnizimeve të energjisë ruse për Europën.

Këto pohime, ai i bëri përpara një takimi të ministrave të energjisë së bllokut europian, në qendër të të cilit është pikërisht propozimi në fjalë.

Szijarto shkroi në Facebook se “plani për të vendosur çmim tavan vetëm për gazin rus që vjen përmes tubacioneve, është krejtësisht kundër interesave europiane dhe hungareze”.

“Ne do të bëjmë më të mirën që Brukseli më në fund ta kuptojë se furnizimet me gaz nuk janë çështje ideologjike apo politike, por janë një realitet i fortë fizik.”

Ministrat e Energjisë të BE-së mblidhen për të diskutuar mënyrat se si të luftohet rritja e shfrenuar e çmimeve të energjisë. Shtrenjtimi i skajshëm i saj ishte pasojë e agresionit rus në Ukrainë.

Moska ka ndërprerë pothuajse shumicën e dërgesave të gazit për në Europë si përgjigje ndaj sanksioneve që blloku evropian ka vendosur ndaj saj për shkak të pushtimit të paprovokuar të vendit fqinj.

Szijjarto u takua në korrik me homologun e tij rus, Sergei Lavrov, në Moskë për të kërkuar dërgesa shtesë të gazit për Hungarinë. Hungaria, e cila ka kritikuar sanksionet e BE-së kundër Moskës, mbi 80 për qind të gazit natyror e merr nga Rusia dhe është shtet tranzit për një tubacion të madh të naftës që furnizon bllokun evropian.

Top Channel