Gjarpri i rrallë i shkëmbit në Florida (Tantilla oolitica) është nga më të rrallët në Amerikën e Veriut, dhe shkencëtarët thonë se shikojnë një të tillë në habitat të egër një herë në katër pesë vjet.
Por pamja e gjetur së fundmi në një park natyror në Florida nuk ishte shumë e këndshme, pasi ishte kthyer në një skenë makabre vdekjeje të botës së egër.
Një vizitor i kampit John Pennekamp gjeti gjarprin të ngordhur pasi ishte mbytur duke gëlltitur një shumëkëmbësh që kishte vrarë.
Pamja e vrazhdë sugjeronte se preja gjigante që ishte me masë sa një e treta e predatorit, nuk kishte arritur të përtypej, ose ndryshe, gjarpri kishte ngordhur nga doza fatale e helmit të insektit të stërmadh, sugjerojnë studiuesit në artikullin e publikuar në revistën The Scientific Naturalist.
Gjarpërinjtë e shkëmbit nuk janë helmues dhe kanë një trup 15 deri në 28 cm të gjatë. Ata kanë kokë të zezë, trup ngjyrë kafe e çelët dhe jetojnë në brigjet juglindore të oqeanit Atlantik në Florida.
Gjarpërinjtë janë në listën e kafshëve të rrezikuara prej vitit 1975 dhe ekzemplari i fundit ishte pikasur në botën e egër në vitin 2015, si dhe një tjetër i gjetur i vrarë nga një mace në 2018, tha autori drejtues i studimit Kevin Enge.
“Këta gjarpërinj nuk janë të thjeshtë për t’u pikasur pasi gërrmojnë ose fshehin trupin e tyre nën gjethe, prandaj shihen kryesisht pas shirave”, shpjegon Enge.
“Për amatorët e gjarpërinjve ky është një pamje e rrallë në Florida — dhe shumë nuk arrijnë ta shohin edhe pas disa javë kërkimeve,” shtonte studiuesi në një email.
Top Channel