Svetomir Baceviç është dënuar me pesë vite burgim për rrëmbimin e 60-vjeçares Tigje Kadija në vitin 1998 në Bellopojë të Pejës.

Trupi gjykues e shpalli fajtor Baceviç për krime lufte bazuar në dëshmitë e të dëmtuarës Tigje Kadrija dhe fqinjit të saj Momçilo Saviç.

Baceviçit në vuajte të dënimit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga viti 2020 deri në vendimin e plotfuqishëm të gjykatës.

Vetë i akuzuari nuk ishte prezent në shpalljen e vendimit, por mbrojtësi ligjor i tij u shpreh i zhgënjyer me vendimin.

“Po ç’të bëjmë, Tigje Kadrija para kësaj gjykate ka thënë se Svetomiri nuk është ai që e ka marrë nga shtëpia dhe se Svetomirin fare nuk e njeh. Pra vendimit të ri unë sinqerisht në lidhje me krimet e luftës në Kosovë, për gjykimin e krimeve, nuk kam çfarë them më shumë”, tha Dejan Vasiç, avokat.

Svetomir Baceviç u dënua për krime ndaj popullatës civile meqë në periudhën korrik gusht të vitit 1998 kishte shkuar në shtëpinë e të dëmtuarës Tigje Kadrija dhe bashkëshortit të saj Rexhep Kadrija, ku i kishte dëmtuar shtëpinë e pastaj kishte marrë peng Tigjën për ta dërguar në një shtab të ushtrisë serbe në Bellopojë, duke i thënë burrit të saj se e kthen të dëmtuarën në momentin që Rexhepi i sjellë ushtarët e UÇK-së në shtab.

Tigje Kadrija nuk kishte arritur ta identifikojë Svetomir Baceviçin si rrëmbyes, por këtë e kishte bërë komshiu i saj Momçilo Saviç.

Top Channel