Shprehën mbështetje për Ukrainën, Ben Stiller dhe Sean Penn futen në “listën e zezë” të Rusisë

06/09/2022 17:38

Zyrtarët e Kremlinit kanë shtuar aktorët amerikanë Ben Stiller dhe Sean Penn në “listën e zezë”, duke u ndaluar hyrjen në Rusi.

Ata i bashkohen bashkohen aktorit tjetër, Morgan Freeman, Presidentit të SHBA-së,  Joe Biden dhe kryeministrit në largim të Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson.

Oligarkët e lidhur me Vladimir Putinin u janë shqiptuar ndalime të ngjashme udhëtimi në Perëndim .

Të hënën, ministria e jashtme ruse emëroi 25 zyrtarë të lartë amerikanë, njerëz të biznesit dhe aktorë dhe tha se atyre iu ndalua hyrja në Rusi.

Sekretarja e Tregtisë e SHBA-së, Gina Raimondo, katër zëvendëssekretarë të tregtisë dhe gjashtë senatorë amerikanë u shfaqën në listë.

“Veprimet armiqësore të autoriteteve amerikane, të cilat vazhdojnë të ndjekin një kurs rusofobik, duke shkatërruar lidhjet dypalëshe dhe duke përshkallëzuar konfrontimin midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, do të vazhdojnë të kundërshtohen me vendosmëri”, tha ministria.

Stiller dhe Penn kanë qenë kritikë të hapur të pushtimit rus të Ukrainës dhe të dy kanë vizituar Kievin që nga fillimi i konfliktit. Stiller i tha Zelenskyt: Ti je heroi im, je i mrekullueshëm.

Ndërkohë, Penn, i cili njihet për aktivizmin e tij politik, u largua nga Ukraina në mars, ndërsa xhironte një dokumentar për konfliktin.

Ai më vonë tha se mendonte të bashkohej me forcat ukrainase për të luftuar kundër Rusisë.

Dy aktorët janë tashmë në mesin e 1073 emrave në “listën e ndalimit” të Rusisë. Lista përfshin gjithashtu regjisorin amerikan të filmit Rob Reiner, kryeministren e ardhshme britanike Liz Truss dhe shumë zyrtarë të MB, SHBA dhe BE-së.

Masat e fundit hakmarrëse nga Rusia vijnë si përgjigje ndaj sanksioneve të administratës amerikane. Të fundit u njoftuan të premten si pjesë e një plani më të gjerë nga G7-a për të vendosur një kufi çmimi për naftën ruse në një përpjekje për të dobësuar Moskën.

Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen tha se kufiri do të ndihmojë gjithashtu në luftimin e inflacionit, i cili është në rritje në shumë vende të botës.

Top Channel