Rexhep Tajip Erdogan u prit me nderime shtetërore në Bosnje në fillimin e një turneu të tij në Ballkan, gjatë të cilit do të vizitojë edhe dy shtete të tjera, Kroacinë dhe Serbinë, por nuk e ka në plan ndalesën në Shqipëri e Kosovë.

Tre ditë do të qëndrojë në rajon kreu i shtetit turk. Fokusi i vizitës së tij do të jetë forcimi i marrëdhënieve ekonomike.

Në një njoftim të presidencës turke thuhet se këto vizita bëhen me ftesë të homologëve të tij. Në bisedimet që ai do të zhvillojë me drejtueset e këtyre tre shteteve, do të shqyrtohen marrëdhëniet dypalëshe, hapat për bashkëpunim, projektet e përbashkëta e investimet.

Temë diskutimi e  presidentit turk në Bosnjë, Serbi e Kroaci do të jenë edhe zhvillimet në Ballkan dhe çështjet ndërkombëtare. Para se të nisej për në Sarajevë, Erdogan e bëri të qartë se Turqia ndjek një politikë që mbështet stabilitetin dhe zhvillimin e Ballkanit dhe procesin e tij të integrimit në strukturat euroatlantike.

“Ballkani është prioritet për Turqinë jo vetëm për arsye politike, ekonomike dhe gjeografike, por edhe për shkak të lidhjeve historike, kulturore dhe njerëzore që ne kemi me rajonin. Gjatë vizitës në Bosnje Hercegovinë, do të përpiqemi të gjejmë edhe një zgjidhje për krizën politike që ka pllakosur këtë vend”- tha Erdogan.

Vitet e fundit, Ballkani është kthyer në një treg joshës për investitorët turq me fuqinë e tij punëtore të kualifikuar, mjedisin miqësor për investime dhe stimujt tatimorë e financiarë.

Rajoni, që ka lidhje të thella historike dhe kulturore me Turqinë, shpesh përshkruhet si porta e saj drejt BE-së falë vendndodhjes së vet gjeografike.

Top Channel