Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç ndodhet në Mitrovicë të Veriut, ndërsa po zhvillon një vizitë zyrtare në Kosovë.

Branbiç dha mesazhe paqeje nga Mitrovica e Veriut, ndërsa u prit nga përfaqësues të Listës Serbe, subjektit më të madh politik të serbëve të Kosovës si dhe nga përfaqësues të institucioneve që punojnë në sistemin e Serbisë.

 “Nuk është kufi por vijë administrative dhe kur e kalova po ndihemi si njeriu në tokë të vet. 31 korriku ka qenë shumë i rëndësishëm për neve që ta ruajmë qetësinë që të sigurojmë stabilitet, që të ndiheni ju të sigurt këtu dhe të mund të vazhdojmë të dialogojmë me institucionet e përkohshme në Prishtinë, por që populli ynë në Kosovë në asnjë mënyrë të mos rrezikohet nga askush. Mesazhi im sot është qetësi, stabilitet dhe tolerancë. E kemi liderin Aleksandar Vuçic i cili na udhëheq në këtë rrugë të vështirë e ka luftuar për letërnjoftimet e Kosovës e Metohisë, do të luftojmë njëjtë edhe për targat dhe do të vazhdojmë të luftojmë njëjtë edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, as për këtë nuk do të dorëzohemi”, tha ajo.

Sipas njoftimit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Brnabiç do të realizojë një vizitë njëditore në komunat veriore të Kosovës, përkatësisht në Mitrovicën e Veriut, Zveçan dhe Leposaviç. Në vizitë do të jetë edhe Petar Petkoviç, drejtor i kësaj zyre.

Lejen për vizitën e saj e ka dhënë Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit për vizitat e ndërsjella të zyrtarëve politikë.

“Kryeministrja do vizitojë qendrën e parë multimediale në veri të Kosovës… Pas kësaj ajo do të bëjë një vizitë te Manastiri i Banjskës në Komunën e Zveçanit”, thuhet në njoftim.

Ndërsa sot, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bilslimi dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci do të vizitojnë Luginën e Preshevës.

Vizita e Brnabiçt në komunat veriore të Kosovës vjen pasi Prishtina dhe Beogradi ranë dakord për shfuqizimin e dokumenteve hyrëse-dalëse, të cilat Serbia ua lëshonte qytetarëve të Kosovës që prej vitit 2011.

Kur Qeveria e Kosovës ndërmori masa reciproke nga 1 gushti, disa serbë lokalë në veri ngritën barrikada, për t’i penguar autoritetet në zbatimin e vendimit të tyre.
Për shkak të rritjes së tensioneve, Prishtina zyrtare e shtyu zbatimin e atij vendimi për 30 ditë.

Ndërkohë, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ndërhynë duke biseduar me palët si në Prishtinë, ashtu edhe në Beograd.

Dy vendet arritën marrëveshjen për heqjen e dokumenteve hyrëse-dalëse më 27 gusht.

Megjithatë, Kosova nuk hoqi dorë nga vendimi i dytë, i cili ka të bëjë me riregjistrimin e veturave me targa serbe në targa RKS – Republika e Kosovës.

Ky proces filloi më 1 shtator dhe do të zgjasë dy muaj.

Beogradi pret negociata edhe për këtë çështje, përkatësisht propozon targa neutrale ndaj statusit të Kosovës, por këtë gjë Prishtina e refuzon.

Vlerësohet se 10.000 makina me targa si: KM (Mitrovicë e Kosovës), PZ (Prizren), UR (Ferizaj) e të ngjashme, të lëshuara nga Serbia, qarkullojnë në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Ato targa u hoqën në komunat në jug të Ibrit rreth 10 vjet më parë, në bazë të një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë për lirinë e lëvizjes.

Top Channel