Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë (MASHTI) thotë se nesër, më 1 shtator, fillon viti i ri shkollor për të gjitha institucionet e arsimit fillor, të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë.

Ministria thotë se fillimi i suksesshëm i vitit shkollor po vihet në pikëpyetje për shkak të grevës së SBASHK-ut.

Nisur nga gjendja e rëndë në vend pas përdhunimit të 11-vjeçares nga pesë persona, ministria u bën thirrje prindërve dhe nxënësve që të komunikojnë me mësuesit, kujdestarët e klasave për të kuptuar nëse do të organizohet procesi mësimor dhe sipas cilit orar.

MASHTI thekson se kryetari i SBASHK-ut nuk ka të drejtë të shpallë mbylljen e shkollave për çfarëdolloj arsyeje, as t’i pengojë të punojnë ata që duan të punojnë duke theksuar se presionet e tilla janë të papranueshme.

Ndërkaq, spekulimet se me ardhje në shkollë, mund të cenohet siguria e fëmijëve nuk kanë asnjë bazë, sipas ministrisë.

“MASHTI dhe Qeveria e Kosovës kanë qenë të hapura për dialog me sindikatat dhe kanë adresuar kërkesat legjitime, gjithnjë brenda kornizës ligjore dhe mundësive materiale. Jemi të bindur se për secilin problem mund të gjendet zgjidhja, por proceset e tilla nuk duhet t’i dëmtojnë fëmijët dhe të rinjtë që kanë nevojë për arsim cilësor”, shkruhet në një postim të MASHTI-t në Facebook.

Top Channel