Byroja amerikane e investigimeve FBI, ka nisur një hetim se si një shtetase ukrainase 33 vjeçe,  mundi të futej në rrethin e ngushtë miqësor të ish presidentit Donald Trump.

Inna Yashchyshyn pretendonte se ishte pjesë e dinastisë bankare Rothschild për tu infiltruar tek njerëzit e afërm të ish-presidentit.

Ajo mundi të futet edhe në shtëpinë e Trump në  Mar-a-Lago.

Dyshimet e para të FBI janë se ukrainasja e bëri këtë për llogari të grupi kriminal rus në SHBA.

Sipas gazetës britanike Sunday Telegraph, bashkë me FBI interes për ukrainasen kanë shfaqur edhe agjencitë ligj-zbatuese kanadeze për të zbuluar aktivitetin e saj nën kamuflim se ishte trashëgimtare e Anna de Rothschild.

Prezenca e saj në shtëpinë e ish presidentit Trump në Florida ku u gjetën dokumente të klasifikuara, ka ngjallur shqetësim tek FBI.

Ed Martin, një ish agjent special i thesarit amerikan thotë se ukrainasja nuk duhet të ishte futur në shtëpinë e Trump.

Hetimet e deritanishme kanë zbuluar se Inna Yashchyshyn në fakt ishte vajza e një kamionisti e lindur në Ukrainë,  e cila banonte në  Illinois.

33 vjecarja ukrainase është nën hetim nga FBI si një ish presidente e një organizate bamirësie e quajtur United Hearts of Mercy.

Kjo organizatë u themelua nga biznesmeni rus  Valeriy Tarasenko në vitin 2015 duke u regjistruar në Kanada dhe besohet se përdorej si një mbulesë e aktivitetit kriminal të një organizate kriminale ruse.

Ukrainasja  Yaschyshyn akuzohet se siguroi një kartë identiteti dhe pasaportë amerikane dhe disa patenta,  të falsifikuara duke përdorur një identitet të supozuar si pjesëtare e familjes  Rothschild.

Nga një filmim kur ajo u takua me Donald Trump, dëgjohet zëri një burri i cili thotë: “Ana ju jeni nga Rothschildëd. Ti mund të paguash 1 milion USD për një foto me Donald Trump”,

Kjo ngjarje vjen vetëm disa ditë më pas nga zbulimi një agjenteje ruse e stacionuar në Napoli ku ndodhet qendra navale e NATOs.

Ajo pretendonte se ishte dizenjuese bizhuterisë.

Top Channel