Ky sezon turistik konsiderohet më i mirë i viteve të fundit në Durrës.

Është mesi i gushtit dhe plazhet e hotelet janë plot me pushues. Shumë hotele janë të prenotuara deri në fund të shtatorit.

”Ka nordikë shumë, gjermanë, francezë, amerikanë. Raportet kanë ndryshuar shumë këtë vit. Lindja po ia lë vendin Perëndimit”, tha operatori turistik.

Qetësia, çmimet, ushqimi i mirë, paketat e ndryshme, relievi dhe trashëgimia e pasur historiko-kulturore, si dhe mikpritja janë ato që vlerësohen më së shumti nga turistët.

”Është vendi, qyteti më i bukur në Shqipëri. Më pëlqen dhe vij këtu. Durrësi është vend i qetë dhe i ka të gjitha”, tha një pushues.

”Është pastër, qetë. Ambienti familjar. Çmimet ashtu-ashtu, po jemi të kënaqur në përgjithësi”.

”Vij nga Serbia dhe është hera e parë që vij me pushime në Shqipëri. Rashë në dashuri me këtë qytet sepse ka shumë kulturë, të trashëguar dhe moderne. Veçanërisht pëlqej njerëzit, miqësorë dhe të këndshëm. Ah, edhe rakia është shumë e mirë. Planifikoj të shkruaj një roman të ri këtu në Durrës. Ndjehem e frymëzuar dhe jam shkrimtare serbe e romaneve të krimit”, u shpreh turistja.

Përveç turistëve të huaj që vlerësojnë gjithçka, ajo që ktheu edhe pushuesit vendas në Durrës, vendit ideal të pushimeve para viteve ’90, është dhe cilësia e shërbimit, pavarësisht sfidës së hapur për punonjës të kualifikuar.

”Durrësi ka gjithmonë mysafirët e vet të shpeshtë që vijnë çdo vit dhe që pëlqejnë pikërisht këto që ofrohen në plazhet e Durrësit. Rëra, cilësia e shërbimit, plazhet janë të përshtatshme për familjet me fëmijë dhe i gjen të gjitha. Shumë afër me Tiranën dhe aeroportin”, u shpreh operatori turistik.

Top Channel