Atentati planifikohej nga qershori/ Makina e përdorur në vrasjen e dy personave, ishte vjedhur në Shijak

19/08/2022 10:15

Atentati mafioz që i mori jetën Hakim Xhezos dhe Shpati (Geno) Lenës dyshohet se ishte planifikuar që në qershor kë këtij viti.

Gazetarja Dorjana Bezat mëson se këto janë dyshimet paraprake të policisë pas ekzaminimit të mjetit ‘BMW’ që dyshohet se u përdor nga autorët, i cili u braktis dhe iu vu flaka në fshatin Çerven.

Megjithëse ishte pa targa mjeti u identifikua nga numrat e shasisë dhe rezultoi i denoncuar i vjedhur më 30 qershor në Shijak.  Policia e Vlorës ka kërkuar detaje për ngjarjen nga policia e Durrësit me qëllim gjetjen e provave që do të çojnë tek autorët. Ndërsa 3 armët e gjetura brenda mjetit të djegur janë çuar për ekzaminim në laboratorin shkencor.

Kontroll i imtësishëm është bërë edhe në vendin e ngjarjes në dalje të fshatit Panaja ku policia ka sekuestruar rreth 20 gëzhoja kallashnikovi. Në mjetin ‘Benz’ me të cilin udhëtonin viktimat policia nuk ka gjetur asgjë të paligjshme.

Pista kryesore e hetimit është hakmarrja për vrasjen e biznesmenit Arben Beqiraj në vitin 2019. Nisur nga kjo policia ka thirrur në komisariat të afërm të viktimave por edhe të afërm të biznesmenit të vrarë në vitin 2019 por nuk kanë përftuar të dhëna të vlefshme për hetimin. Policia ka dyshim e se ekzekutimi i Hakim Xhezos e Shpai Lenës mund të jetë bërë me pagesë.

Top Channel