Arrestimi i dy mashtruesve italianë/ Vihet në pranga pronari i argjendarisë, ku do të shitej ari i rremë

18/08/2022 13:45

Pronari i argjendarisë, ku u arrestuan dy mashtruesit italianë para dy ditësh për tregtimin e arit të rremë, është arrestuar.

Shtetasi me iniciale J. K. 53 vjeç, banues në Elbasan në vijim të operacionit policor të koduar “Fake Gold” iu vunë prangat, pasi sipas policisë ai ka penguar në zbulimin e së vërtetës.

Mbi 53-vjeçarin rëndon vepra penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale.

Dy shtetas italianë janë arrestuar nga policia e Elbasanit pasi akuzohen kanë shitur përmes mashtrimit ar të rremë me vlerë prej 200 mijë eurosh.

67-vjeçari Fortunato Maddaloni, banues në Napolit dhe 76-vjeçari Riccardi Gennario, banues në Milano, kanë rënë në pranga në tentativë për të shitur një tjetër sasi ari të rremë në një argjendari në Elbasan, , ku fillimisht kishin mashtruar duke ofruar një sasi të vogël ari të pastër.

Policia thotë se në bashkëpunim me njëri-tjetrin ata kanë shitur ar (metal) në formë kokrrizash, me vlerë 200 000 euro, në Tiranë dhe Podgoricë, gjatë periudhës qershor-gusht 2022.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 3 kilogramë ar i dyshuar si i rremë, 160 gramë ar i pastër, 4 aparate celulare, 1500 euro dhe 150 franga zviceriane.

Njoftimi policisë:

Në vijim të operacionit policor të koduar “Fake Gold”,  të finalizuar 2 ditë më parë, si rezultat i të cilit u arrestuan 2 shtetas italianë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të licencura” dhe “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim, si dhe u sekuestruan sasi ari i rremë dhe i pastër, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Elbasan arrestuan në flagrancë për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, shtetasin J. T., 53 vjeç, banues në Elbasan, pronari i argjendarisë në qytetin e Elbasanit, ku u arrestuan në flagrancë 2 shtetasit italianë.

Top Channel