Një shembull për t’u ndjekur, ky futbollist dhuron 10% të pagës për bamirësi

17/08/2022 10:06

Wilfried Zaha ishte protagonist në sfidën e fundit të Crystal Palace, në barazimin 1-1 në “Anfield” përballë Liverpool.

29-vjeçari, ka kaluar pothuajse të gjithë karrierën me Crystal Palace, me përjashtim të dy sezoneve 2013-2015 kur luajti për Man. Utd dhe Cardiff dhe ka vetëm një Super Kupë në dhomën e trofeve, në vitin 2013.

Pavarësisht numrave gjatë karrierës, Zaha ka ditur të shënojë “gol” edhe jashtë fushës së blertë.

Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë dhuron 10% të pagës së tij për bamirësi dhe gjithashtu ndihmoi klubin e Crystal Palace, pasi këta të fundit, vite më parë vuajtën nga kriza financiare në skuadrën e femrave. Sot skuadra e femrave të Crystal Palace ekziston dhe kjo falë një kontributi nga ana e sulmuesit i cili sakrifikoi rrogën e tij.

Jo vetëm për këtë veprim, por edhe për besnikërinë e treguar ndaj klubit, ai konsiderohet një idhull i tifozerisë dhe një legjendë e “Shqiponjave”.

Në vendlindjen e tij, ai ka ndihmuar vazhdimisht për fëmijët në nevojë dhe ende e bën diçka të tillë.

Sot, Wilfried njihet si një sportist i kompletuar, por fëmijëria e tij nuk ka qenë dhe aq e bukur, pasi në moshën 4 vjeçare braktisi vendlindjen (Abidjan) për shkak të kushteve ekstreme të jetesës për t’u zhvendosur në Londër, aty ku më pas jeta e tij mori një tjetër kurs.

Një futbollist i cili ka kaluar të gjithë karrierën e tij në “heshtje”, e po ashtu pa “zhurmë” ka ditur të tregojë vlerat e tij më të mira njerëzore.

Me pak fjalë, një shembull për t’u ndjekur nga të gjithë.

Top Channel