Nëpunësit e gjykatave në protestë, kërkojnë rritje pagash! Padisin në gjykatë KLGJ dhe Ministrinë e Financave

17/08/2022 19:52

Pasi priten gjashtë vite, me akuzën se Këshilli i Lartë Gjyqësor i neglizhoi  dhe se u shmang për të zbatuar detyrën, për rishikimin e pagave , nënpunesit gjyqësor kanë nisur betejën gjyqësore.

Padia administrative që ka si palë të interesuar edhe këshillin e ministrave, ministrinë e financave dhe gjykatën e kryeqytetit  pritet të shqyrtohet në shtator.

Administrata e gjykatave këmbëngul se nuk po trajtohen njësoj si nëpunësit civilë  sa kohë ata po zvarriten derisa të hyjë në fuqi harta gjyqësore. Beteja është hapur nga nëpunësit gjyqësorë të Tiranës, gjyqtarët e të cilës po përgjysmohen nga vettingu dhe nga dorëheqjet.

 “Normalisht në gjykatën e Tiranës aktualisht janë 40 mijë çështje nën gjykim. Nëpunësit kanë pritur dhe atyre ju është thënë se gjithçka lidhet me hartën gjyqësore”- tha kancelari Donald Xhelili

Në gjykatën e Tiranës që është më e ngarkuara qoftë me civile por edhe penale, nëpunësit gjyqësore si fillim i dërguan një peticion në KLGJ por u lanë në pritje.

Kjo përballje midis qeverisë së gjyqësorit dhe administratës do të trajtohet në gjykatën e apelit administrativ

Drejtësia  shqiptare që i është nënshtruar vettingut u rikompozua dhe njerëzve të drejtësisë  iu vendosën paga të larta, por administrata u harrua.

Në hartën e re gjyqësore janë shkrirë 18 gjykata dhe ndërkohë edhe burgjet kanë nisur riformatimin në përshtatje të gjykatës së apelit në Tiranë që do jetë një në të gjithë Shqipërinë.

Top Channel