Shkolla “Kiço Blushi” gati në shtator/ Veliaj: I jep zgjidhje kërkesës së prindërve, “5 Maji” është kthyer në një kantier transformimi

16/08/2022 14:32

Shkolla e re “Kiço Blushi” që përfshin të gjithë ciklin e sistemit parauniversitar, nga parashkollori deri në gjimnaz, do të jetë gati në muajin shtator duke iu bashkëngjitur 12 shkollave të reja që hapen në Tiranë në nisje të këtij viti të ri arsimor.

Kreu i Bashkisë, Erion Veliaj, i cili inspektoi punimet e fundit përpara dorëzimit edhe të kësaj godine të re moderne të infrastrukturës arsimore në kryeqytet, tha se kjo shkollë bashkon zonën e vjetër të Tiranës në Njësinë 8 me lagjen e re të “5 Majit” duke i dhënë fund amullisë dhe ngarkesës që impononte mësimin me dy turne të nxënësve.

“Është një ditë shumë e mirë për të gjithë zonën e Pazarit të Ri, gjithë transformimet që janë aty, por dhe për pjesën e Njësisë 8 që është pjesa e shtuar poshtë Unazës deri tek Bregu i Lumit, sidomos kjo e fundit, e cila ka qenë pjesa ndoshta më e degraduar dhe e lënë pas dore e qytetit. Sot kjo zonë e Tiranës është kthyer në një nga pjesët që realisht është një kantier total punimesh, duke filluar nga zona e “5 Majit” me gjithë transformimet që po pëson prej lagjes së re të Stefano Boerit dhe gjithë shtëpitë e reja që janë aty, jo vetëm për ata që u prekën nga tërmeti, por edhe për ata që po i marrin metrat në kompensim, nga diçka pa urbanistikë dhe pa hipotekë, sot në një gjë të jashtëzakonshme”, tha Veliaj.

Sipas tij, fakti që shkolla është realisht pjesa lidhëse, pra e Tiranës së vjetër me Tiranën e re, e këtyre dy realiteteve, të atyre që janë “dem baba dem” me ata që kanë ardhur nga çdo cep i Shqipërisë, jep një zgjidhje të jashtëzakonshme.

Kryebashkiaku tha se me këto shkolla dhe kopshte të reja prindërit nuk do të kenë më arsye për t’u shqetësuar për arsimimin e fëmijëve të tyre.

“Kemi pasur një situatë kaotike, kur u gjetëm në Tiranën e vitit 2015, ku jo vetëm shkolla “Partizani” ishte e vetmja në territor, por edhe shkollat 9-vjeçare ishin në kushte skandaloze. Ne kishim një gjimnaz të mbingarkuar dhe shkolla 9-vjeçare që po rrënoheshin. Sot duke filluar nga “Servete Maçi”, te shkolla “Siri Kodra” dhe pastaj te shkolla “Lek Gjiknuri”, që është shkolla e re tek ambientet e kthyer në zyra UKT-je, – ndërkohë që ishte shkollë në gjithë planin e urbanistikës së qytetit -, nuk ka asnjë arsye për t’u shqetësuar se u duhet të shkojnë të insistojnë dhe të futen me bërryla ngushtë e ngushtë në shkollat e Tiranës së vjetër, por kanë kushtet optimale,” tha ai.

Por, shtoi Kryebashkiaku, sidomos me ndërtimin e shkollës së re “Kiço Blushi”, që është padyshim ndoshta një ndër më të mëdhatë në republikë, për faktin që është një shkollë e mesme, shkollë 9-vjeçare dhe parashkollor dhe të gjitha familjet, sidomos nënat e zonës, mund të lënë një fëmijë këtu nga mosha 4 vjeç deri në moshën 18 vjeç.

Veliaj siguroi se me portalin “Mësues për Shqipërinë” edhe stafi mësimor do të jetë i përzgjedhur dhe i kualifikuar në cdo shkollë të re.

“Me shkollat e reja krijohet edhe një kolektiv i ri mësuesish, ndër më të mirët e kimisë, fizikës, letërsisë, biologjisë, matematikës, anglishtes e gjermanishtes e kështu me radhë. Kështu që, fakti që kemi infrastrukturën më të mirë dhe mësuesit më të mirë duhet t’i japë besim secilit prind. Kush është tek Pazari i ri e ka shkollën tek “Servete Maçi,”. Kush është te Rruga “5 Maji” e ka shkollën te “Betim Muço” dhe kush është te Medresja e ka shkollën te “Lek Gjiknuri”. Në këtë sens, na duhet të sjellim një lloj qetësimi të atij mentaliteti, të asaj histerie që të gjithë shkollat më të mira janë në qendër të qytetit, nuk është kështu më.”, tha ai. Sipas Kryetari të Bashkisë së Tiranës, sot infrastruktura është më e mirë me këto shkolla të reja që po bëhen dhe sigurisht edhe mësuesit janë më të mirë se janë ata që kanë dalë në portal tani të parët, jo ata të viteve të mëparshme ku nuk kishte as konkurse, as portale. “Ne gjithmonë do të kemi debate, por është e rëndësishme që qyteti të ketë të tilla, po të paktën s’do të kemi më për shkollat me dy turne. “Çunat e Pazarit” që ngatërrojnë Tiranën me Kabulin të njohin Tiranën e vërtetë, shkollat e mira që po bëhen dhe të mësojnë që nuk shahet qyteti për interes politik”, përfundoi Veliaj.

FOTO GALERI
2/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA