Ethet e Nilit perëndimor shumë pranë Shqipërisë. Mushkonjat të cilat përhapin virusin vdekjeprurës  qarkullojnë me shumicë në vendin tonë. Këtë vit nuk është bërë dezinsektimi i tyre pasi dështoi tenderi.

Ndërkohë Italia fqinje është alarmuar për shkak të përhapjes së etheve të Nilit, ku deri më tani janë prekur afro 100 persona dhe pothuajse gjysma e tyre janë në gjendje të rënde, 5 kanë humbur jetën deri më tani.

Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet përmes pickimit të mushkonjave dhe zogjve shtegtare. Sa më i madh numri i infeksioneve dhe i mushkonjave në mjedis, aq më e madhe është mundësia e kontaktit me sëmundjen.Virusi i etheve të Nilit shkakton dhimbje të muskujve, temperaturë të lartë shkakton encefalit dhe meningjit deri dhe humbje jete. Ne Shqipëri nuk është identifikuar ende asnjë rast edhe pse në laboratorin e ISHP thonë se janë gatishmëri askush nuk mban përgjegjësi për dezinsektimin e mushkonjave që nuk është bërë.

Burime të Top Channel në ISHP thonë se procedurat për zhvillimin e tenderit për dezinsektimin e mushkonajve kanë nisur që në muajin shkurt të këtij viti pranë Agjensisë së blerjeve të përqendruara pranë Ministrisë së Brendshme me qëllim që në muajin prill të fillonte procesi i dezinsektimit, atëherë kur mushkonjat janë ende larva. Bëhej fjalë për një fond prej 790 milion lekësh. Por për shkak të ankimimeve të bëra nga operatorët  të përfshire, ky tender që prej 7 muajsh nuk është finalizuar .

Ethet e Nilit, formë e lehtë

  • temperaturë e moderuar,
  • ulje të oreksit
  • të përziera,
  • dhembje koke,
  • dhembje sysh,
  • dhembje shpine,
  • dhembje muskujsh,
  • kollë
  • puçrra,
  • diarre
  • nyje imfatike të zmadhuara,.

Ethet e Nilit  tek format e rënda

  • temperaturë e lartë,
  • encefalit
  • meningjit
  • dhembje të forta të kokës,
  • dobësi dhe paralizë të lehtë,
  • simptoma gastrointestinale,
  • konvulsione
  • puçrra në kurriz, qafë, krahë dhe këmbë,

 

Top Channel