Plagosi inspektorin, lihet në burg Qani Muça, ngre akuza në gjykatë: Punonjësit më vodhën paratë në banesë, arma nuk ishte e imja

15/08/2022 12:37
Qani Muça

Me kërkesë të prokurorisë, është lënë nën masën e sigurisë ‘arrest me burg’ Qani Muça, 55-vjeçari që plagosi me armë zjarri tre ditë më parë punonjësin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, Ilirjan Gavelli.

Muça ka dalë para trupit gjykues që prej orës 10:30, ku dhe u njoh me masën e sigurisë së dhënë nga gjyqtari Kujtim Ranici.

Gazetarja Anila Hoxha mëson se para trupit gjykues, Muça ka akuzuar punonjësit e IMT-së duke pretenduar se ata i kanë vjedhur një shumë parash në banesën e shembur tashmë.

Muça ka thënë se nuk ka pasur qëllim të plagoste punonjësin, por e gjitha erdhi si pasojë e nevrikosjes nga sherri.

Po ashtu, ai ka mohuar akuzat e armëmbajtjes pa leje, duke deklaruar se arma që kishte përdorur nuk ishte në pronësi të tij, por ia mori nga brezi punonjësit të IMT-së.

Prokurori hodhi poshtë pretendimet e tij, duke thënë se nga gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes është e provuar që arma ishte e tij.

Avokatja mbrojtëse e Qani Muçës, Ardjana Kalaja hodhi akuza ndaj instuticioneve dhe kërkoi ndryshimin e akuzave që rëndojnë mbi 55-vjeçarin.

Kërkesa e saj nuk u mor parasysh ndërsa, Kalaja tha se do e çojë çështjen në gjykatën e Apelit në Tiranë.

 

Top Channel