Kisha e Shën Marisë në Leusë, vetëm 2 km larg Përmetit është një nga thesaret kulturore ende shumë pak të shfrytëzuara të zonës.

Rruga për te monumenti i ndërtuar në shekullin e XVIII është tërësisht e degraduar dhe shumica e vizitorëve janë ata që mund të ecin në këmbë.

Banorët e Leusës nuk janë më shumë se 50 vetë aktualisht. 2 km rrugë i ndan ata nga qyteti por shërbimet kushtojnë shumë dhe ata e kanë braktisur zonën.

Për të gjitha vështirësitë që lidhen me aksesueshmërinë po ngelet i izoluar dhe jashtë hartës turistike një nga monumentet e rrallë të llojit katedrale për nga përmasat. Sipas studiuesit  Kostas Giakumis monumenti është një nga asetet më të mëdha kulturore jo vetëm të Përmetit por të Shqipërisë.

Kisha e Shën Marisë në Leusë rrethohet nga një peisazh natyror unik rrethuar prej tri përrenjve dhe një bimësie të dendur dhe dëshmon për rëndësinë e territorit në mesjetën e vonë edhe si rrugëkalimi për karvanet e tregëtarëve, si qëndër shkëmbimi, edukimi dhe arti. Gojëdhënat thotë se një kishë më e vogël u ndërtua në të njëjtin vend në shek. VI gjatë periudhës së perandorit Justinian.

Objekti aktual dallohet pikturën dinamike murale dhe për autenticitetin e strukturës në tërësi.

Leusa monument kulture që prej vitit 1963 vizitohet nga rreth 500 vizitorë në vit që janë më pak se 1% e atyre që vizitojnë Përmetin në sezon.

Top Channel