Detaje/ Si ndodhi aksidenti i rëndë në Tiranë, fillimisht shoferja përplasi 27-vjeçaren e më pas çiftin Hysa

15/08/2022 22:12

Një aksident i rëndë është shënuar pasditen e sotme në zonën “Kodrat e Diellit” të Tiranës, ku 29-vjeçarja e identifikuar si Elinta Garo, përplasi me makinë tre këmbësorë.

Në informacionet e siguruara nga gazetarja e “Top Channel” Dorjana Bezat, tregohet se e reja ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka përplasur 27-vjeçaren e identifikuar si Alkuna Telhaj.

Me pas e tronditur ajo nuk ka arritur të kontrollojë makinën dhe ka përplasur në trotuar çiftin e bashkëshortëve Begzan dhe Valetina Hysa.

Policia e Tiranës njofton se ka shoqëruar në komisariat 29-vjeçaren, deri në zbardhjen e plotë të dinamikës së aksidentit.

Të plagosurit janë ndihmuar nga banorët e zonës dhe kalimtarët, më pas u dërguan në spital për të marrë mjekim.

Deri më tani çifti Hysa ka marrë dëmtime më të rënda dhe ndodhet ende në spital, ndërsa 27-vjeçarja është në gjendje të mirë shëndetësore.

Njoftimi policisë:

Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 15.08.2022, në afërsi te “Kodra e Diellit”, shtetasja D. G., 29 vjeçe, duke drejtuar mjetin ka aksidentuar këmbësorët B. H., 60 vjeç, V. H., 57 vjeçe dhe A. T., 27 vjeçe, të cilët si pasojë janë dëmtuar dhe ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

 

Top Channel