Mbërrijnë emigrantët/ Në Durrës sot vijnë 8 mijë pasagjerë, shumica prej tyre shqiptarë që marrin pushimet në Itali

14/08/2022 14:45

Mijëra persona dhe automjete mbërritën edhe të dielën në vend përmes portit detar të Durrësit, ku po punohet me kapacitet të plotë për një përpunim sa më të shpejtë të tyre.

Tragetet e mëngjesit kanë mbërritur me vonesë dhe shumë prej udhëtarëve ndjehen të lodhur nga udhëtimi i gjatë, po të kënaqur për pushimet që i presin.

Kemi pas shumë vonesë se u nisëm në orën 04.00 kur duhej të niseshim në 00.00. Do të rri nja 2 javë për pushime dhe do bëj pak plazh në Durrës. Pastaj do të kthehem se studioj në Itali.”

”Është hera e parë në Shqipëri. 24 orë në udhëtim. Do shkojmë në Ksamil, po jemi të lodhura.”

”1 javë do qëndrojmë. Do shkojmë në Sarandë dhe 2 ditë në Durrës.”

”U vonuam shumë. Në 3 të mëngjesit jemi nis nga Bari, po mbërritëm shëndoshë. Pushimet? Te Gjiri i Lalzit. Ciao!”-shprehen turistët.

Durrësi dhe jugu i vendit mbeten destinacionet e preferuara për vendas e të huaj, por mes atyre që mbërrijnë në Shqipëri ka dhe emigrantë të shqetësuar për fatin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti, pasi ende nuk janë përfshirë  në procesin e rindërtimit.

”Problemi im është ky. Ai që e ka dëmin DS4 nuk ka përfituar asgjë. Asnjë ndërhyrje dhe pse DS4 është dëm i rëndë. Jam nga Fushë-Kruja dhe po mendoj të marr borxh e të bëjmë diccka. Jetoj në Itali, po rrënjët i kam këtu në vendin tonë të mrekullueshëm.”

Me 5 tragete nga Bari dhe Ankona deri në mbrëmjen e vonë të së dielës mbërrijnë 8000 veta dhe afro 2000 automjete.

Një ditë më parë hynë në vend nga kjo pikë kufitare 7500 veta dhe 2000 automjete.

Ditët e fundit në Durrës ka nisur të rritet ndjeshëm edhe numri i atyre që pas pushimeve largohen nga Shqipëria për t’iu kthyer ritmit normal të punës e jetës.

Top Channel