Humb jetën i riu shqiptar në Itali/ Aksidenti i rëndë i merr jetën edhe tre shokëve të tij italianë

14/08/2022 12:02

Katër të rinj nga mosha 18 deri në 19 vjeç vdiqën mbrëmë në Godega Sant’Urbano (Treviso) pasi makina me të cilën po udhëtonin ka rrëshqitur duke dalë nga rruga.

Pas rrëshqitjes, makina ka përfunduar e përmbysur mbi një pemë të madhe, brenda një kanali. Katër djemtë raportohet se kanë gjetur vdekjen e menjëhershme.

Viktimat kanë qenë të gjitha në moshë të re dhe banues në rajonet e Treviso dhe Friuli. Njëri prej tyre, 18 vjeçar është identifikuar si Xhuliano Këllici me origjinë shqiptare dhe banues në Cordignano.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 2:10 të mbrëmjes së djeshme. Mediat italiane raportojnë se katër të rinjtë, me një Volkswagen ‘Polo’ po ktheheshin në shtëpi pas një mbrëmjeje me miqtë.

Makina dyshohet se rrëshqiti gjatë marrjes së një kthese në të majtë, më pas u përplas me një rrap dhe është përmbys në një kanal.

Njoftimin e parë për policinë e kanë dhënë banorët e zonës, të cilët janë trembur nga zhurma e fortë e përplasjes. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur zjarrfikësit, komisariati dhe mjekët e Suemit, të cilët kanë mundur të konstatojnë vetëm vdekjen e katër të rinjve. Tre prej tyre ishin 18, i katërti 19.

Rruga e aksidentit sipas medias Il Gazzetino është një rrugë rurale dhe një vendburim aksidentesh pasi në të ka precedentë të mëparshëm të përplasjeve me humbje jete.

Top Channel