Cetinja, kryeqyteti historik i Malit të Zi tani do mbahet mend dhe për ngjarjen e rëndë ku humbën jetën në rrethana të pakuptimta 11 vetë, mes tyre dhe fëmijë.

34-vjeçari Vuçko Boriloviç, i cili vrau 10  persona dhe plagosi gjashtë të tjerë në Cetinje të Malit të Zi të premten e 12 gushtit, fillimisht hyri në banesën e qiramarrësve të tij rreth orës 15:30 dhe vrau dy të vegjlit 11 vjeç dhe 8 vjeç dhe vazhdoi goditjet me armë ndaj nënës së tyre, Natasha Pajoviç.

Pas krimit ka telefonuar edhe kryefamiljarin, Millosh Martinoviç dhe i ka thënë: Unë e kam vrarë familjen tënde!

Më tej, në një distancë prej 80 metrash nga shtëpia e tij, ai përhapi vdekjen, duke gjuajtur pa mëshirë edhe ndaj kalimtarëve dhe fqinjve.

Në vendngjarje përveç forcave të policisë në përpjekje për të neutralizuar  autorin, ishin dhe banorët e tjerë dhe stafi mjekësor por mosbindja e

34- vjeçarit solli si rrjedhojë edhe vrasjen e tij, për të ndaluar thellimin e masakrës.

“Është një tragjedi e madhe, ende nuk e besojmë që ka ndodhur. Jemi në shok. Ky është një vend i vogël dhe e njohim të gjithë njëri tjetrin dhe do na duhet kohë të marrim veten. Asnjë nuk mendonte se ai ishte në gjendje të bënte këtë akt të tmerrshëm. Ai dukej një djalë i qetë, vërtet më ka suprizuar. E pabesueshme”, tha njëri prej banorëve.

Në fshatin Medovinë ku jetonte 34-vjeçari , mëngjesin pas masakrës i gjen shtëpitë e braktisura, edhe ata pak banorë të mbetur të cilët janë ose të afërm të viktimave ose të vrasësit shfaqen agresivë ndaj medias dhe vizitorëve të paftuar.

Por Top Channel u fut drejt rrugicave të boshatisura, që sot të ngjallin frikë.

Përballë kësaj situate, ata që guxojnë të flasin janë turistët, të cilët janë shokuar.

Edhe pse ngjarja ka ndodhur në një zonë me rreth 16 mijë banorë, i gjithë Mal i zi është tronditur. Për ketë arsye, qeveria ka shpallur tre ditë zie me flamujt në gjysmështize dhe ndalimin e aktiviteteve kulturore e argëtuese.

Ceremonia mortore në Cetinje do të organizohet nesër në orën 10:00, për të përcjellë trupat e pajetë të pafajshëm drejt banesës së fundit… por kjo ditë nuk do të mjaftojë për të ngushëlluar familjarët e viktimave dhe banorëve të zonës, pasi kjo ngjarje është ngulitur si më e rënda në kujtesën e malazezëve.

Top Channel